E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka nevojë Evropa për Britaninë?

09-02-2013 / Gazeta 55

Ata që favorizojnë unifikimin evropian duhet t’i marrin seriozisht kritikat për mangësitë politike të saj. Duke e bërë këtë gjë, ata do të sigurohen se një Evropë e bashkuar, pa marrë parasysh formën që merr, do të jetë demokratike dhe e qëndrueshme ekonomikisht. Për këtë arsye Evropa ka nevojë për Britaninë: jo si për një qendër financiare dhe tregtare, por në cilësinë e një partnereje të vështirë, skeptike dhe thellësisht demokratike

Nga Ian Buruma

Shumë njerëz në Britaninë e Madhe besojnë se shteti i tyre mund t’ia dalë edhe pa qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Anëtarët e Partisë britanike të Pavarësisë madje mendojnë se Britania do t’i kishte punët më mirë, ashtu si edhe një numër i konsiderueshëm i “euroskeptikëve” konservativë. Ata e ëndërrojnë Britaninë si një Singapor i Perëndimit, një fuqi komerciale e drejtuar nga qyteti i Londrës. Për këtë arsye, kryeministri David Cameron e ndjeu për obligim që britanikëve t’u ofrojë referendum për një çështje të thjeshtë: brenda apo jashtë. Cameron personalisht nuk dëshiron që Britania të largohet nga BE-ja, por ai e di se një formë e pajtimit demokratik është e nevojshme, në mënyrë që qeveritë e ardhshme britanike ta rregullojnë këtë çështje. Viti kur pritet të mbahet referendumi i premtuar, 2017, është ende larg. Shumë gjëra mund të ndryshojnë ndërkohë. Po qe se eurozona forcohet, atëherë veprimet e shteteve që janë jashtë saj mund të mos kenë më rëndësi. Për më tepër, edhe shtetet tjera evropiane mund të pajtohen në fund me Cameronin se një union më i ngushtë politik në Evropë është i padëshirueshëm. Ndërkohë, një çështje tjetër duhet të shqyrtohet: sa evropianë duan që Britania të mbetet në BE? Përgjigjja varet pjesërisht nga përkatësia etnike. Shtetet e vogla veriore, si Holanda, tradicionalisht kanë dashur që Britania të jetë pjesë e BE-së. Pa Britaninë, ato do të dirigjoheshin nga Franca dhe Gjermania. Megjithatë, derisa kujtimet për Luftën e Dytë Botërore po veniten, gjithnjë e më shumë njerëz në Holandë dhe Skandinavi ndihen të kënaqur të jenë nën krahët e fuqishëm të Gjermanisë.
Por, vetë Gjermania mbase do të preferonte që ta mbante partnerin e vet britanik, në vend se të përballet e vetme me shtetet e Mesdheut. Kultura ende ka rëndësi. Po ashtu, gjermanët kanë shumë gjëra të përbashkëta me britanikët – më shumë sesa me grekët, apo madje edhe italianët.
Franca ndryshon. Sipas një sondazhi të kohëmëparshëm, 54 për qind e francezëve do të preferonin që Britania të largohet nga BE-ja. Edhe kjo mund të ketë lidhje me kulturën. Britania nuk ka qenë kurrë e popullarizuar në Francë. Presidenti Charles de Gaulle e pati bllokuar dy herë hyrjen e saj në Bashkësinë Ekonomike Evropiane. Ashtu si shumë liderë francezë, De Gaulle ishte tejet skeptik ndaj “anglo-saksonëve”. Franca, sipas mendimit të tij, ishte gardiane e natyrshme e vlerave evropiane, të cilat bashkekzistonin me ato franceze. Më 1930, Winston Churchill tha: “Ne jemi me Evropën, por nuk jemi prej saj”. Është ky një mendim që vazhdon të mbështetet nga shumica në Britani. De Gaulle u pajtua. Siç pati thënë ai, disi në mënyrë ironike, Britania do ta humbë identitetin si anëtare e Bashkimit Evropian dhe kjo do të ishte humbje e madhe.
Por, kultura dhe nacionaliteti, apo madje edhe shovinizmi i De Gaulles, nuk mund t’i sqarojnë të gjitha. Ekziston një dimension i rëndësishëm politik i qëndrimeve pro apo antibritanike në Evropë. Francezët që thanë se donin që Britania të largohet nga BE-ja ishin kryesisht të spektrit të majtë, derisa shumica që mbanin qëndrimin e kundërt i takonin së djathtës. Nuk është në tërësi e qartë se përse, ndonëse mbase arsyeja është se e djathta përfshin neoliberalët, të cilët kanë të përbashkëta me britanikët qëndrimet rreth biznesit dhe tregtisë së lirë. Ashtu si të majtit kudo, e majta franceze favorizon një shkallë të madhe të kontrollit shtetëror mbi ekonominë, së bashku me zgjidhjet teknokratike, në vend të atyre liberale, rreth problemeve sociale dhe ekonomike. Kjo mënyrë e të menduarit ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e institucioneve shtetërore. Jean Monnet, njëri nga etërit e bashkimit të Evropës, e mishëronte këtë tendencë – një burokrat i lindur, që nuk u besonte politikanëve. Politika demokratike është e ngatërruar dhe përçarëse, derisa kompromiset janë pjesë përbërëse e saj. Monnet urrente tërë këtë gjë. Ai ishte i obsesionuar me idealin e unitetit. Po ashtu, ai dëshironte që puna të kryhej, e papenguar nga pazarllëqet dhe ujditë politike. Monnet dhe teknokratët tjerë evropianë nuk kundërshtonin demokracinë, por për shkak të zellit që kishin për bashkimin e shteteve të ndryshme të Evropës, ata shpesh dukej se e shpërfillnin atë.
Eurokratët e dinin se çfarë ishte më mirë për qytetarët e Evropës dhe ata e dinin se çfarë duhej të bëhej. Shumë debate politike apo ndërhyrje nga qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë vetëm sa do të ngadalësonte gjërat. Rrjedhimisht lindi gjuha e BE-së për “trenat që nuk mund të ndalen” dhe “vendimet e pakthyeshme”: qytetarët nuk duhet të vënë në pikëpyetje motivet e planifikuesve të mëdhenj. Ky theks mbi planifikimin ishte njëra prej arsyeve përse “projekti evropian” gjithnjë i përshtatej së majtës – dhe jo vetëm në Francë. Besimi teknokratik në modelet ideale është utopik. Ata në të majtë po ashtu kanë pasur një aversion të thellë ndaj nacionalizmit, të lindur nga dy luftërat shkatërrimtare në Evropë. Britanikët, të cilëve nacionalizmi çurçillian u ndihmoi që të fitojnë ndaj sulmeve të Hitlerit, kurrë nuk kanë pasur një aversion të tillë. Po ashtu, krenaria e tyre e thellë me traditën liberal-demokratike të Britanisë i bëri që t’i shikojnë me dyshim burokratët e Brukselit. Arsyeja e pjesshme për këtë gjë është padyshim shovinizmi, madje edhe ksenofobia. Si mund të ndahet pushteti politik me të huajt? Por, do të ishte gabim që dyshimet britanike për një unitet më të madh evropian thjesht të hidhen poshtë. Ky nuk është vetëm reaksion nacionalist. Shumë evropianë tani janë penduar që i kanë dhënë kompetenca të tepërta burokracisë së BE-së. Ata që favorizojnë unifikimin evropian duhet t’i marrin seriozisht kritikat për mangësitë politike të saj. Duke e bërë këtë gjë, ata do të sigurohen se një Evropë e bashkuar, pa marrë parasysh formën që merr, do të jetë demokratike dhe e qëndrueshme ekonomikisht. Për këtë arsye Evropa ka nevojë për Britaninë: jo si për një qendër financiare dhe tregtare, por në cilësinë e një partnereje të vështirë, skeptike dhe thellësisht demokratike.

Autori është profesor i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe gazetarisë në kolegjin “Bard”. Marrë nga “Project Sindycate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›