E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet e epokave, transformimet e sistemit

Kinema dhe bashkëbisedim, 5-9 tetor në Tiranë. Një seri filmash gjermanë me shkas përvjetorin e 20-të të rënies së Murit të Berlinit


Me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989 nisi dhe rënia përfundimtare e Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ-së) dhe një vit më pas, u arrit bashkimi në një shtet të vetëm pas 40 vjetëve ndarje. Edhe pse sistemi komunist në realitet nuk ekziston më, që prej vitit 1990, ai vazhdon të jetojë në mendjen e njerëzve.


RDGJ-ja vazhdon të jetë edhe sot në Gjermani objekt diskutimesh dhe mosmarrëveshjesh shoqërore e politike. Shumë nga ish banorët e RDGJ-së ndihen të keqkuptuar prej bashkëqytetarëve të tyre nga perëndimi, ose e shohin veten si viktima të procesit të transformimit. Ndërsa të tjerët paralajmërojnë për një minimizim të RFGJ-së dhe ankohen për një trajtim të butë me "krimet" e atëhershme.


Me serinë e filmave dhe diskutimeve, "Ndryshimet e Epokave - Transformimet e Sistemit", Fondacioni Friedrich-Ebert do të prekë këto mosmarrëveshje me anë të pesë filmave gjermanë, të cilët trajtojnë temën e RDGJ-së dhe transformimit të saj pas vitit 1990. Në vijim të shfaqjes së filmave në kinemanë e Akademisë së Filmit "Marubi", çdo ditë në orën 19.00, do të ketë mundësi për të diskutuar. Si ishte jeta nën diktaturë?


Çfarë ndikimi kishte sistemi në jetën e individit dhe të familjes? Si janë pikëpamjet e sotme mbi kohën e komunizmit? Në diskutime do të flitet gjithashtu edhe mbi paralelet dhe ndryshimet ndërmjet dy vendeve në transformim si Shqipëria dhe Gjermania.


Nesër, më 5 tetor, projektohet "Good bye Lenin!" i regjisorit Wolfgang Becker, i cili na çon në Berlinin Lindor, në vjeshtë të vitit 1989: Nëna e Aleks Kerner ndodhet në koma, pasi pësoi një infarkt në zemër. Kështu, ajo humbet ngjarjen e rënies së Murit.


Zgjohet në verën e vitit 1990. Pasi hap sytë, si për mrekulli, tetë muaj më vonë ajo zgjohet në një shtet të ri. Mjeku këshillon se çdo shqetësim mund të jetë vdekjeprurës për pacienten. Aleksi duhet t'i fshehë asaj fundin e diktaturës së Shtetit të SED-it (Unionit Socialist Gjerman).


Ai dhe shokët e tij i simuluan gruas së sëmurë ekzistencën e RDGJ-së. Iluzioni është perfekt. Por, e vërteta nuk mund të fshihet përgjithmonë. Më pas vijon diskutimi mbi temën "Më parë ishte gjithçka më mirë - Fenomeni i "Ostalgjisë".


Më datë 6 shfaqet "Kisha e Shën Nikollës", regjia dhe skenari Frank Beyer, Eberhard Görner, Erich Loest. Laipcig 1987. Në RDGJ bëhet gjithmonë e më e ndjeshme rezistenca e brendshme ndaj shtetit. Meshat e të hënës dhe lutjet në Kishën e Shën Nikollës tërheqin gjithmonë e më shumë njerëz. Shteti reagon me kërcënime, përjashtime nga partia dhe masa represive.


Më 9 tetor 1989, qytetarët e Laipcigut arritën një fitore vendimtare. Shefi i Shërbimit Sekret të Gjermanisë Lindore pohon: "Ne ishim të përgatitur për çdo gjë, por jo për lutje dhe qirinj!".


Filmi sjell një pjesë të historisë së Gjermanisë Lindore, në një përzierje të skenave dokumentare dhe artistike. Pas projeksionit vijon diskutimi mbi temën "Fatet e familjes nën kushtet e diktaturës".


Më 7 tetor shfaqet "Berlini është në Gjermani" me regji të Hannes Stöhr-it. Protagonisti i kësaj historie, Martin Schulz, 36 vjeç, lirohet pas njëmbëdhjetë vjet burgim. Ish-qyetari i RDGJ-së e përjetoi rënien e Murit pas kangjellave të burgut. Martini përpiqet të përshtatet plot humor dhe energji në botën e re. Ai kontakton me ngurrim me gruan dhe me djalin e tij njëmbëdhjetëvjeçar.


Ai bie padrejtësisht në konflikt me policinë, por me ndihmën e gruas së tij arrin të lirohet. Atij i ofrohet një shans i ri. Diskutimi që ndjek këtë film ka për temë "Bukuria e botës së re".


Më 8 tetor është radha e dokumentarit "Sportisti Lötzsch" me regji të Sandra Prechtel dhe Sascha Hilpert.


Është historia plot vuajtje e çikistit Wolfgang Lötzsch, karriera si sportist, profesionist në RDGJ, e të cilit dështoi nga mendjengushtësia e funksionarëve politikë. Lötzsch kundërshtoi t'i bashkohej SED-it dhe për këtë iu ndalua ushtrimi i profesionit dhe lejohej të garonte vetëm si amator.


Filmi dokumentar raporton një nga shumë rastet, në të cilat shteti i SED-it ka penguar karrierën e personave të talentuar. Pas tij diskutohet për "Shokë partie të bezdisshëm - Në një fushë tensioni ndërmjet përshtatjes dhe ndërgjegjes."


Dita e fundit është "Sonnenalle" me regji të Thomas Brussig, Detlev Buck, na çon në RDGJ-në e viteve 70-të: Micha Ehrenreich dhe shokët e tij jetojnë në Sonnenalle, një nga rrugët e Berlinit, fundet e së cilës ndodhen njëra në Gjermaninë Perëndimore dhe tjetra në atë Lindore.


Apartamenti është i ngushtë, fqinji është i STASI-t (Shërbimi Sekret i Gjermanisë Lindore). Xhaxhai i tij në perëndim merret me kontrabandë getash prej najloni. As lindja, as perëndimi s´kanë rëndësi për Mishën. Më e rëndësishmja për të është Miriami, e cila dashuron një perëndimor.


Megjithatë, Misha e vë jetën në duart e saj dhe mëson njëkohësisht si të marrë iniciativë dhe përgjegjësi.
Dhe pas tij, një diskutim me temë: "Mbyll sytë dhe vazhdo? - Strategjitë për një jetë në diktaturë."


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›