E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumenjtë, rreziku i heshtur i Shkodrës

REHABILITIMI/ Pavarësisht fondeve të dhëna, pritat e shumë lumenjve vazhdojnë të jenë të amortizuara


Ardhja e vjeshtës dhe shirave shton mundësinë për përmbytjen e shumë fshatrave në rrethin më të madh verior


SHKODËR- E rrethuar nga disa lumenj, rajoni i Shkodrës ka përherë të pranishëm rrezikun e përmbytjeve dhe kjo pasi disa prej pritave të ndërtuara dekada më parë janë amortizuar, ndërsa ndërhyrjet rehabilituese të bëra vitet e fundit kanë qenë të përcipta dhe ka pasur raste ku edhe puna e nisur nuk ka përfunduar.


Amortizimi i argjinaturave mbrojtëse është problem shqetësues për komunitetin që jeton pranë tyre, por dhe për specialistët e hidroteknikës që, duke qenë pjesëtarë të shoqërisë civile, në jo pak raste kanë ngritur zërin e kanë bërë apel për ndërhyrje në këto argjinatura.


Karlo Kamsi, specialist i njohur, vazhdimisht ka kërkuar që në rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara të ndërhyhet pa filluar reshjet, pasi më pas nuk mund të punohet, ndërsa pasojat mund të jenë katastrofike. Argjinatura e Kirit, e cila mbron qytetin e Shkodrës dhe një pjesë të rrethinave nga vërshimi i lumit me të njëjtin emër, prej kohësh i është nënshtruar një rikonstruksioni dhe fillimi i punimeve u pati deklaruar me entuziazëm nga drejtuesit vendorë.

Por, ndërsa u bënë rreth 300 metër linear betonime e punime të tjera bonifikuese, ato janë ndërprerë. Shtrati i lumit Kir ka ardhur duke u zgjeruar dhe ka përfshirë jo pak tokë bujqësore të zonës së Bardhajve e Bleranit në komunën Rrethina, një pjesë e të cilës ka qenë e mbjellë me pemë e vreshta, ndërsa tani është kthyer në zallishtë. Por projekti që përfshinte përforcimin e mureve mbrojtëse dhe betonimin e tyre në të gjithë gjatësinë e argjinaturës, është ndërprerë pa shkuar deri në fund.


Burime nga Prefektura e Shkodrës bëjnë të ditur se puna në këtë investim do të nisë shumë shpejt dhe ndonëse parashikohej që vjeshta t'i gjente këto investime të përfunduara, kjo nuk ka mundur të ndodhë.


"E dimë që situata nuk pret ndaj dhe procedura e prokurimeve ka nisur shpejt. Nga ana tjetër, po i kushtohet rëndësi e veçantë edhe cilësisë së punimeve, pasi një investimi që bëhet tani nuk do t'i kthehemi edhe një herë", bëjnë të ditur burime nga Prefektura e Shkodrës.


Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, pohon: "Vlerat e akorduara për investime përfaqësojnë në vetvete harmoni dhe përputhje të përparësive të qeverisë shqiptare dhe qeverive vendore ose këshillave bashkiakë dhe komunalë". Rreth 76 milionë lekë është fondi i dhënë nga qeveria shqiptare për të ndërhyrë në argjinaturat e lumejve. Mësohet se ky fond ka kaluar tek Bordi i Kullimit të Shkodrës.


Fondi i dhënë nga qeveria shqiptare është ndarë në katër projekte, megjithëse kërkesat kanë qenë për më shumë financim, dhe ndërhyrjet në zonat më problematike janë ato për mbrojtje nga lumi Buna, fshati Shirq - Dajç 8,7 milionë lekë, rikonstruksion i veprës së marrjes Rragam, rezervuari Shkodër 4,1 milionë lekë, rikonstruksion argjinature të lumit Vermosh 41,1 milionë lekë, si dhe vazhdimi i punimeve, riparim dhe ndërtim argjinature të lumit Kir Shkodër 22,1 milionë lekë.


Por pavarësisht këtyre fondeve, punimet në këto zona nuk kanë përfunduar, dhe banorët që ndiejnë pranë kërcënimin e lumenjve, shprehen se nuk kanë besim se këtë vit mund të përfundojnë punimet edhe aty ku ato kanë nisur. A.Dushi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›