Ndryshimet globale të klimës prekin edhe Shqipërinë
TIRANË- Ndryshimet globale të klimës kanë prekur edhe vendin tonë. “Në Shqipëri është verifikuar ulje e sasisë së reshjeve vjetore dhe ngritje graduale e temperaturës''- ka thënë ministri i Mjedisit, Xhuveli gjatë prezantimit të projektit “Identifikimi dhe implementimi i masave përgjegjëse për adaptim ndaj ndryshimeve të klimës në deltat e lumenjve Drin dhe Mat”. Ai ka theksuar se në kuadër të një studimi të përgjithshëm që janë duke kryer Shtetet e Bashkuara është studiuar problemi i efektit të ndryshimeve klimatike edhe tek ne.Ai informoi se për të konkretizuar më tej masat që duhet të merren është ndërmarrë një projekt së bashku me Përfaqësinë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Sipas tij, financimi i këtij projekti arrin në 2 milion dollarë.
Për këtë fillimisht do të studiohen ndryshimet konkrete, që pritet të ndodhin në deltën e Drinit dhe Matit si efekt i ndryshimeve globale të klimës në rruzullin tonë. Më pas do të përcaktohen masat e mundshme që duhen marrë. Projekti është përqëndruar në deltat e Matit dhe të Drinit, sepse në to, sipas specialistëve duket se paraprakisht ndikimet janë më të mëdha, ose pritet të jenë më të mëdha se në zonat e tjera.