E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha hesht për kërkesat e grevistëve të Gërdecit

 

Tiranë-Kryetari i qeverisë, Sali Berisha nuk ka bërë asnjë koment lidhur me kërkesat e punëtorëve të Gërdecit, ngujuar në grevë urie që prej 6 ditësh. Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kompensimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara, fond i cili arrin në vlerën rreth 900 milionë lekë. Ndërkohë që ka deklaruar se me këtë fond kompensohen edhe banorët e fshatrave të Manzës, Marikajt si dhe bizneset e gjithë zonës së prekur, ai nuk ka thënë asnjë fjalë për ata njerëz që rinë të pritje të reagimit të qeverisë për një varg kërkesash që i kanë bërë të ditura me kohë. Me fondin e miratuar në mbledhjen e radhës, merr fund edhe kompensimi për tragjedinë e Gërdecit. Në bazë të vendimit të marrë, këto ishin rivlerësime, ndërsa një pjesë e vogël janë vlerësime që shtrihen në Bashkinë e Manzës dhe komunën Maminas. Pjesa tjetër, sipas Berishës janë kundërshtime të familjarëve që nuk kanë qenë të bindur për vlerësimin dhe është bërë rivlerësimi. Ky kompensim bëhet pas vendimit të marrë nga qeveria për pagesën e qirave, banorëve që kanë mbetur të pastrehë. Problemi i grevistëve u bë temë më vete debati në një seancë plenare, ku deputetet diskutuan për 60 minuta jashtë rendit të ditës. Opozita këmbënguli me forcë se është qeveria ajo që duhet të kthejë sytë nga grevistët, pasi ajo është përgjegjëse e dëmit të madh e të pakthyeshëm që u shkaktoi banorëve. Ndërkohë, deputeti i PD-së, Astrit Patozi, quajti opozitën nxitëse të grevës, madje edhe shkruese të kërkesave të tyre. “Kërkesat e grevistëve, janë të ekzagjeruara”- tha prerë Patozi. Ata që mbeten në hall të madh janë padyshim banorët e ngujuar, gjendja shëndetësore e të cilëve rëndon çdo minutë që kalon. Të vrarë, e më pas të braktisur nga qeveria ata deklarojnë se nuk dalin gjallë nga greva, pa iu përmbushur kërkesat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›