Privatizimet, gati INSIG dhe OSSH
Pas privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës, ARMO, një tjetër sektor po aq i rëndësishëm pritet të privatizohet, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në KESH, një tender që aktualisht është në fazën e pranimit të ofertave, në një kohë që sipas Ministrisë së Ekonomisë, tenderi do të zhvillohet në muajin Shtator. Privatizimi i këtij sektori, sipas Berishës, do të ndikojë në manaxhimin e shpërndarjes së energjisë, duke bërë të mundur kështu edhe shmangien e humbjeve në rrjet.
Por në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri i është rikthyer sërish privatizimit të kompanisë shtetërore të Sigurimeve, INSIG, për të cilën procesi i privatizimit ka ngecur prej më shumë se 3 vite. Afatet ligjore për privatizimin e kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG janë shtyrë deri në fund të Dhjetorit të këtij viti. Sipas ligjit aktual shitja duhej te ishte kryer deri në fund të vitit 2007, por tenderi nuk ka arritur të organizohet. Formula e shitjes: Investitori strategjik do të zotërojë 61 për qind të aksioneve, në një kohë që 39 per qind e tyre janë në pronësi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporates Financiare Ndërkombëtare (IFC).