E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet klimatike, Shqipëria në projektin e OBSH-së

Projekti, me një shtrirje kohore prej 2 vjetësh, mbështetet financiarisht nga qeveria gjermane, nëpërmjet Ministrisë Federale për Mjedisin, Mbrojtjen e Natyrës dhe Sigurinë e Reaktorëve, me vlerë prej 7 milion euro, prej së cilës Shqipëria përfiton rreth 1 milion euro.
      
Qëllimi i tij është të fuqizojë kapacitetin e vendit për të kuptuar rrisqet mbi shëndetin që mund të vijnë nga ndryshimi i klimës dhe duke vepruar ndaj tyre. Kjo do të sigurohet nëpërmjet një plani kombëtar shëndetësor, ku përfshihet përgatitja dhe përgjigja e sistemit shëndetësor dhe menaxhimi i emergjencave që lidhen me klimën. Këtu përfshihen kapacitetet për të monitoruar ndotjen e ajrit dhe për t’iu përgjigjur asaj, mekanizmat e gatishmërisë për sëmundjet infektive, në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit, si dhe sistemi i informacionit shëndetësor mjedisor lidhur me klimën.
     
Ndryshimet klimatike në vendin tonë pritet të evidentohen me rritje të temperaturave të ajrit, zvogëlim të sasisë së reshjeve vjetore si dhe rritje e nivelit të deteve. Për pasojë, mund të pritet që dimri të jetë më i butë, pranvera më e ngrohtë, vera më e nxehtë e më e thatë. Më e thatë pritet të jetë edhe vjeshta.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›