E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese fund pavaresise se mbikqyrur

Në amendamentet kushtetuese që po formësohen në komisionet parlamentare të ngritura posaçërisht për këtë qëllim, do të përfshihet edhe pjesa në të cilën flitet për prezencën ndërkombëtare, pasi ka ardhur koha që Kosova të përmbyllë periudhën e pavarësisë së mbikëqyrur. Arsim Bajrami, kryesues i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese për Albanian Screen tha se puna po vijon sipas parashikimeve.

”Tri vite kanë qenë të mjaftueshme për një prezencë kaq të fuqishme me ekzekutivët e prezencës ndërkombëtare, por nuk do të ketë shkëputje të njëanshme të mbikqyrjes ndërkombëtare. Ne do të insistojmë në një dialog politik dhe në një konsensus të përbashkët. Kosova ka shkuar në një fazë më të avancuar në procesin kushtetues dhe janë përfshirë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, në mënyrë që të amandamentohet kushtetuta në pjesën që ka të bëjë me pavarësinë e mbikqyrur”-tha Bajrami.

Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit për Ndryshime Zgjedhore, Haki Demolli tha se ndryshimi i ligjit për zgjedhje të përgjithshme do të bëhet në bashkëpunim më të gjithë faktorët përkatës të kësaj fushe dhe shoqërinë civile.

“Në fazën e parë do të punojmë në identifikimin e mangësive të cilat janë të paraqitura në ligjin për zgjedhjet, në fazën e dytë do të punojmë në gjetjen e solucioneve dhe alternativa më të përshtatshme për ato mangësi dhe në fazën e tretë do të bëjmë në njëfarë mënyre testimin me organizatat joqeveritare me subjektet e ndryshme që kanë qenë të involvuara  në zgjedhje”- tha ai.

Marrëveshja e arritur mes PDK-AKR dhe partisë më të madhe opozitare LDK me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Kristopher Dell parasheh që zgjedhjet presidenciale të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas mëse dy vjet e gjysmë.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›