E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në buxhet, nis seanca e Kuvendit

TIRANE- Nisí rreth orës 11:00, seanca plenare e Kuvendit, ku pritet të miratohen disa nga projektligjet më të debatuara në një seancë të vetme dhe pa praninë e opozitës. Ne axhendë është parashikuar miratimi i pr. buxhetit në parim, projektligji për regjistrimin e popullsisë, formula e privatizimit të INSIG si dhe borxhi që i detyrohemi Serbisë, si dhe votimin e dy pr/rezolutave që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Duke mbrojtur shkurtimet në buxhet para komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ministri Ridvan Bode deklaroi pak ditë më parë se shkurtimet në buxhet parashikohen 18.3 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat do të jenë 14 miliardë lekë më pak se parashikimi në fillim të vitit.

"Shkurtimet e parashikuara në këtë p/buxhet suplementar nuk do të prekin prioritetet, që do të thotë investimet publike, por shpenzimet operative në të gjitha institucionet", deklaroi kreu i financave publike. Sipas Bodes ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës ekonomike globale, por gjithsesi ndjeu efektet e saj, duke patur një ngadalësim të rritjes ekonomike. Por, kreu i financave publike siguron se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe më e lartë se një vit më parë, duke thënë se ajo do të jetë 5%, ndërsa borxhi publik i vendit nuk do të pësojë rritje, por do të mbetet në të njëjtët parametra prej 59.7 % dhe se defiçiti buxhetor do të jetë 3.5 %.

Pas diskutimit në parim buxheti do të rikthehet sërish në Komisonet Parlametare për diskutimin nen për nen. Ndërkohë po sot në Parlament pritet të kalojnë projektligji “Për rregjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave” të ndryshuar” i kundërshtuar fort nga shoqëria civile si dhe Projektligj “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG-ut".
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›