E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në ligjin e pronave, PR bashkon votat me PS

Aleati i demokratëve Partia Republikane nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj për të bashkuar votat me socialistet kundër një ndryshimi për ligjin e pronave. Socialistët kërkuan mosmiratimin e tij duke e konsideruar ligjin antikushtetues. 

TIRANE- Republikanët dhe socialistët kanë bashkuar hapur votat në Kuvend në përpjekje për të rrëzuar projektin e qeverisë për një ndryshimi në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Pavarësisht këtij bashkimi dhe kontestimi të ashpër që i kanë bërë ligjit, 38 votat si rezultat i këtij bashkimi nuk kanë mundur ta rrëzojnë ligjin në fjalë, duke miratuar kështu një projekt që bie ndesh me kërkesat e sih pronarëve.
Si socialistët edhe kreu i grupit të PR-së Arian Madhi, i bëri thirrje maxhorancës të mos e votojë këtë ligj, por në ndryshim me Republikanët, Partioa Socialiste mendon se ligji bie ndesh gjithashtu edhe me Kushtetutën.

Nënkryetari i grupit parlamentarë të PS-së Erion Braçe u shpreh se “kjo është antikushtetuese dhe qarja juaj për pronarët është e kotë. Nëse unë jam pronar i tokës, atëherë ajo tokë do t’më kthehet mua”-tha Braçe.

Ndërkohë edhe deputeti i po kësaj force politike Pandeli Majko tha se “që ti thuash pronarit që stë takon ty e drejta, por më parë do të pyetet biznesmeni, apo ai që ka investuar atje për të marrë pronën dhe më pas pronari, kjo është troç shkelje Kushtetute”, u shpreh deputeti Majko.

Ndërkaq edhe kreu i grupit parlamentarë të PR-së Madhi u shpreh se “kjo do të përbënte një cenim të rëndë të të drejtave të njohura me ligj dhe të shprehur në vendimet e komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave, për rrjedhojë këto vendime do të zhvlerësohen duke u kthyer në nul. Nëse ne do të miratonim këtë projektligj atëherë kjo do të përbënte jo vetëm një shkelje flagrante të detyrimeve e tona ligjore por edhe një shmangie nga angazhimet dhe shpërdorimi i besimit politik”- tha Madhi.

Por kryetari i Komisionit Ekonomik, Edmond Spaho, mendon se ligji nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe se ai është miratuar, pas interesimit të Shoqatës së Ish pronarëve.
Vetë shoqata e ish pronarëve e ka mohuar të ketë dijeni për këtë ndryshim në ligjin për kthimin e pronave, duke thënë se do ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese nëse dekretohet nga Presidenti Topi.
Janë rreth 100 ndërmarrje ku shteti është bashkëaksionerë dhe ku trojet nuk janë në pronësi të tyre, por janë të pronarëve.
Ndryshimi në fjalë parashikon se nga sipërfaqe e tokës për dhënien në përdorim, qera apo ndonjë formë tjetër Drejtoria e Administrimit të Shitjes së Pronave Publike ka të drejtë tia shesë shoqërisë me çmime tregu, ndërsa pjesa tjetër i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar.
Nëse firmat janë kundër blerjes së truallit, atëherë ajo i jepet pronarit nesë pranojnë ta blejnë atë shuma që përfitohet kalon në llogari të Fondit të Kompensimit Financiar të subjekteve të shpronësuara.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›