Ndryshimet ne ligjin e pronave
Ndryshimet në ligjin e pronave do të sjellin në vlera reale çmimet e pronave që do të kompensohen. Nisur nga praktikat e deritanishme të kompensimit, vlera e disa objekteve ka qenë më e lartë se realja dhe vlera e disa të tjerave më e ulët. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa sqaron risitë që do të sjellë ndryshimi i ligjit.
Metodologjia e re ka në themel të saj standardin ndërkombëtar. Sipas kreut të AKKP-së, ajo do të jetë më fleksibile dhe më reale, pasi vlera e pronës ashtu si e çdo produkti tjetër është e ndryshueshme në varësi të vendit, kohës dhe kushteve të tjera të tregut.
Aktualisht, në Ministrinë e Drejtësisë është ngritur grupi i punës që është duke u marrë me metodologjinë e re të përllogaritjes së çmimeve të pronave për kompensim. Kur kjo metodologji të ketë përfunduar, do të miratohet në qeveri. Më pas qeveria do të autorizojë një institucion të posaçëm për përcaktimin e çmimeve të kompensimit.