BE monitoron 5 kompani telekomi

Pesë institucione telekomi europiane janë nën vëzhgimin e Komisionit Europian për një hetim të mundshëm mbi një marrëveshje të fshehtë. Deutsche Telekom, France Telecom, Telecom Italia, Telefonica spanjolle dhe britanikja Vodafonë dyshohet se kanë bërë një marrëveshje të fshehtë për të bllokuar shërbimet e Google, Facebook, Apple dhe Skype në operatorët mobile. Sipas së përditshmes britanike “Financail Times”, Brukseli ka kërkuar informacione mbi diskutimet e fshehta të të ashtuquajturit grupi E5. Bëhet fjalë për takime periodike të filluara që nga 2010 mes drejtuesve të të pesta shoqërive. Zëdhënësi i komisionerit për çështjet e antitrustit, Joaquin Almunia, ka deklaruar se informacionet e kërkuara nga Komisioni kanë të bëjnë me mënyrën se si do të procedohet me standardizimin e shërbimeve të ardhshme të telefonisë së lëvizshme. Për KE disa elementë të hetimit janë të sigurtë, ndërkohë që këto kompani janë nën monitorimin e Brukselit mbi këtë cështje. Por ende duhet parë nëse bëhet fjalë për zgjidhje të përbashkëta apo për marrëveshje të fshehta mes telekomeve europiane në dëmtim të shërbimeve dhe përdoruesve të internet mobile. Sipas ekspertëve të telekomunikimit në Bruksel, ndoshta detajet e kësaj marrëveshje kanë të bëjnë me limitet që operatorët e celularëve synojnë gjithmonë e më shumë të përshtasin mbi shërbimet e internetit, shërbime këto që bllokojnë rrejtet e tyre duke dëmtuar të ardhurat e tyre tradicionale përmes sms dhe thirrjeve. Pak ditë më parë studimet mbi fitimet e operatorëve celularë treguan se në nivel botëror janë humbur 13,9 miliardë dollarë fitime nga sms, për faj të popullaritetit të mesazheve përmes internetit. Në fakt Komisioni Europian deri tani është treguar i kujdesshëm duke mos ndaluar praktikat e menaxhimit të trafikut për rrjetet fikse apo mobile, për momentin është kufizuar vetëm me monitorimin e praktikave. KE mund të ndërhyjë në bazë të ligjeve aktuale vetëm nëse vërehen dëmtime të konkurrencës dhe inovacionit. Ndërkohë që lajmi i publikuar nga “FT” mund të shërbejë si një sinjal alarmi nga ana e Komisionit.