E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i ligjit, pronarët: Qeveria do të ulë vlerën e pronës

Gjiri i Kakomesë. Foto arkiv

Emirjon Senja

Ndryshimet e miratuara nga qeveria në ligjin për kompensimin e pronës, duke përfshirë në metodikën e vlerësimit një serë kriteresh të tjera përveç çmimit të tregut pritet të shkaktojnë zhvillime të rëndësishme për të gjithë atë që kanë një tokë apo truall në pronësi, por edhe pronarët që presin të dëmshpërblehen nga ana tjetër.

Do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë metodikën e përllogaritjes së vlerës së pronës ndryshe nga më parë kur formular ka qenë e gatshme me ligj. Një ndryshim i tillë pritet të prekë më së shumti shtresat e pronarëve, të cilët këmbëngulin se rregullimet ligjore janë bërë qëllimisht nga qeveria për të ulur vlerën e pronës së tyre për qëllim kompensimi duke bërë që shteti të ketë më pak detyrime ndaj tyre.

Myrshit Vorpsi, anëtar i Kryesisë së Shoqatës Pronësi me Drejtësi shpjegon se me vendimin e dy ditëve më parë, qeveria në radhë të parë ka hequr përfundimisht dorë nga kthimi i pronës ndaj pronarëve duke u fokusuar vetëm tek kompensimi financiar i saj, madje edhe kjo e fundit sipas tij nuk po bëhet me çmimet e tregut por në vlera 2.5 deri në 3 herë më të ulta. Me ndryshimet ligjore të miratuara, qeveria tregon se nuk ka më kthim të pronës tek pronarët, por vetëm kompensim të saj në vlerë monetare. Me këtë veprim, qeveria e konsideron të mbyllur këtë proces duke vijuar më tej vetëm me kompensimin financiar të pronarëve. Por edhe kompensimi që po bëhet tani nuk është me çmimet e tregut siç pretendohet. Ai është 2.5 deri në 3 herë më i ulët krahasuar me çmimet e tregut, – shpjegon ai. Fatura financiare për kompensimin e pronës sipas përllogaritjeve të pronarëve shkon deri në 30 miliardë lekë. Në fakt, kjo është një barrë e rendë për buxhetin e shtetit, prandaj edhe sipas tyre qeveria i është futur këtyre ndryshimeve për të ulur vlerën e pronës për qëllim kompensimi. Sipas përllogaritjeve tona, janë rreth 6 489 hektarë truall dhe rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore që të konfiskuara. Afati i shtyrjes së funksionimit të AKKP-së përkon fiks me 20 vjetorin e miratimit të ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës në fillim të viteve 90. Mundet që deri në periudhën në fjalë të ketë ende pronarë që nuk kanë dorëzuar ende dosjet për të kërkuar kthimin apo kompensimin e pronës duke e humbur përfundimisht këtë të drejtë, – thekson ai.

Ndryshimet e miratuara nga qeveria erdhën pas një raporti të detajuar të Bankës Botërore mbi çështjen e pronave në Shqipëri, ku ndër të tjera theksohet edhe nevoja për të gjetur mundësi të përballueshme nga buxheti i shtetit dhe që nuk do të pakësojnë burimet për shpenzimet sociale prioritare por edhe të kryhet brenda një afati kohor të arsyeshëm. Një përfundim i tillë i Bankës Botërore përkthehet ndryshe me faktin se e gjithë kostoja për kompensimin e pronës në vend duhet të jetë në një nivel të atillë që Shqipëria të ketë mundësi të bëjë kompensimin dhe jo në tregues të paarritshëm financiarisht. Në këtë linjë vjen edhe vendimi i qeverisë, por pronarët nuk mendojnë kështu. Sipas Vorpsit, nuk është Banka Botërore ajo që ka kërkuar uljen e vlerës së pronës, por ka qenë qeveria ajo që ia ka sugjeruar BB-së në zgjidhje të tillë. Për sa i përket vlerës, di që Banka Botërore e ka konsultuar raportin me qeverinë dhe ka qenë kjo që ka sugjeruar këtë variant, prandaj edhe është futur në raport, – theksoi ai.

Çfarë përmbajnë ndryshimet në ligj

Vlerësimi i pasurive të paluajtshme do të bëhet sipas disa kritereve të ndryshme nga tani. Ndryshime ligjore të propozuara nga qeveria parashikojnë edhe futjen e kriterit; qëllimi i përdorimit të pronës apo lloji i pasurisë krahas çmimit të tregut. Deri më tani, për përcaktimin e vlerës së një pronës ekziston një metodologji e posaçme mbi bazën e të cilës është bërë edhe harta e vlerës së pronës, por tashmë metodologjia do të përcaktohet nga qeveria sipas kritereve të mësipërme duke i bërë edhe më tepër fleksibël çmimet. Vlerësimi i pronës që kompensohet do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme: çmimin e tregut; llojin e pasurisë së paluajtshme; qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme, – parashikohet në ligjin e sapo ndryshuar nga qeveria. Por krahas kësaj, vendimi parashikon edhe shtyrjen e afatit të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave deri në prill 2013. Deri në atë periudhë, AKKP-ja do të ketë mundësi të zhvillojë punën normalisht me shqyrtimin e dosjeve.

BB: Kompensim financiar i pronës, në limitet e buxhetit

Thelbi i raportit të Bankës Botërore në lidhje me pronat në Shqipëri, ka të bëjë kryesisht me gjetjen e mundësive për zgjidhjen e këtij ngërçi duke marrë parasysh edhe eksperiencat e vendeve të Evropës Lindore, të cilat kanë pasur një të shkuar të njëjtë në drejtim të sekuestrimit të pronës nga regjimet komuniste. Në morinë e këshillave, është edhe gjetja e një mundësie për të bërë kompensimin financiare të pronarëve, por me kushte të pranueshme nga buxheti i shtetit shqiptar duke mos shkaktuar mungesa financimi në sektorë të tjerë.

Nisur nga kjo, Banka Botërore këshillon rishikimin e vlerës së tokës me qëllim kompensimi për të arritur në ato tregues, të cilët përballohen nga buxheti i shtetit. Vlera që duhet për të kompensuar aktualisht pronarët sipas përllogaritjeve të tyre është rreth 30 miliardë euro, shumë e cila është tepër e madhe për buxhetin e shtetit. Shumica e vendeve në Europën Qendrore dhe atë Juglindore kanë miratuar ligje për kthimin e pronave private të konfiskuara nga shteti nën regjimin komunist, si dhe kanë zbatuar skema të kompensimit financiar për ata të cilëve për arsye të ndryshme nuk mund tu kthehej prona. Skemat e kompensimit përfshin një sërë metodash për të përllogaritur shumën që duhet dhënë për kompensim. E përbashkëta e të gjitha këtyre metodave është se ato përfshijnë disa kufizime në sasinë e kompensimit financiar që paguhet. Këto kufizime nevojiten për të siguruar përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit brenda një afati kohor realist, si dhe për të siguruar se kostoja e kompensimit është në përpjesëtim me burimet financiare që mund të caktohen për këtë qëllim, pa minuar shpenzime të tjera të nevojshme publike, – shpjegohet në raport.

Krahas kompensimit financiar, Shqipëria aplikon edhe kompensimin fizik të pronës apo kthimin e saj. Sa mundësi ka vendi që të bëjë një kompensim fizik të pronës? Banka Botërore thotë në raportin e saj se mundësitë e Shqipërisë për të dëmshpërblyer pronarët nëpërmjet kompensimit fizik janë të kufizuara. Duke pasur parasysh se pronat shtetërore që janë të disponueshme për tu përdorur për kthimin fizik të pronave janë shumë të kufizuara, është e nevojshme që kompensimi financiar të jetë një pjesë kyçe për zgjidhjen e problemit. Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që të vlerësohet me kujdes ndikimi fiskal, ekonomik dhe në kapital i skemës së kompensimit për tu siguruar që shteti mund ta përballojë brenda limiteve të buxhetit, nuk do të pakësojë burimet për shpenzimet sociale prioritare dhe do të kryhet brenda një afati kohor të arsyeshëm, – vijon raporti.

Çështja e pazgji

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›