E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste

Ndryshimet në statutin e socialistëve synojnë të prekin disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon sot partia më e madhe në opozitë. Megjithëse deputetë të ngarkuar për këto ndryshime ende nuk e kanë mbyllur përfundimisht punën e tyre, tre janë pikat ende në diskutim që bien në sy. Pika e parë prek lidershipin. Partia Socialiste sot drejtohet nga Kryetari i Partisë, një institucion i zgjedhur me parimin një anëtar një votë, drejt për se drejti nga anëtarësia. Sipas propozimeve mund të shtohet tashmë posti i nënkryetarit të partisë, një funksion ende në diskutim sipas deputetes Valentina Leskaj.

"është e vështirë që unë të konfirmoj sot nëse do të ketë nënkryetar, apo sekretar apo cfarë do ketë për sa kohë që statuti është ende në një proces të hapur diskutimi. Pjesë e diskutimit janë të tëra elementët e statutit, dhe unë besoj që kjo është një gjë shumë e mirë", thotë Leskaj.

Pika e dytë e propozuar pritet të jetë heqja e së drejtës për pjesëmarrje automatike në asamblenë Kombëtare për ish presidentët, ish kryeministrat, dhe ish kryetarët e Parlamentit. Këta konsiderohen një pasuri vlerash dhe mendimi në Partinë Socialiste, ndaj dhe aktualisht janë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Ndër këto emra janë Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Kastriot Islami etj.

Pika e tretë, ende në diskutim është heqja e parimit një anëtar një votë për kryetarët e socialistëve në rrethe. Në rast të kësaj tërheqjeje nga parimi një anëtar një votë, kryetari i PS të Shqipërisë mbetet i vetmi që zgjidhet me këtë parim.

Dorian Kodra < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›