Ndryshimi është në duart e të rinjve

Është 67 vjeç, por ka energjinë e një djaloshi të ri. Michele Placido, i njohur nga të gjithë si komisar Katani kalon nga kinemaja në teatër pa bërë aspak pushim. Dhe si të mos mjaftonte, disa muaj më parë u martua për herë të tretë mes entuziazmit dhe polemikave, me aktoren e re, Federica Vincenti, 29 vjeçe. Në filmin e tij të ri “Rroftë Italia!” aktori interpreton një politikan që për shkak të një sëmundjeje, nis të thotë gjithmonë të vërtetën, duke treguar se nuk e do profesionin e tij, por zbulon dashurinë për fëmijët e interpretuar nga Ambra Angiolini, Alessandro Gassman e Raul Bova. Një film që në mënyrë ironike hap edhe njëherë, debate për moralin e politikës dhe për rëndësinë e ndryshimit. Ja se çfarë mendon për gjithë këtë Michele Placido, optimist se e ardhmja gjendet në duart e brezave të rinj.
Shumë angazhime në kinema dhe teatër dhe një martesë e tretë brenda një kohe të shkurtër. Në moshën 67-vjeçare ke ende energjinë e një adoleshenti. Cili është sekreti juaj?
Nuk ka asnjë sekret. Një proverb i vjetër thotë se kush ka zjarrin e pasionit brenda vetes, d.m.th pasionin për jetën, për punën, për gratë, pasionin për gjithçka, duhet të vazhdojë të ecë përpara. Për fat ende arrij të qëndroj tetë orë në skenë.
Në filmin “Rroftë Italia!” ju interpretoni pjesën e një senatori, një politikani të korruptuar pa ideale, që preket nga një sëmundje e rrallë që e bën të thotë gjithmonë të vërtetën. Këto gjëra ndodhin vetëm në film?
Për fat të keq po. Kjo është një komedi brilante që dëshiron të nxisë politikanët të thonë të vërtetën. Shikoni, gabimet i komentojnë të gjithë, edhe ata. Por nëse do të ndryshonin, njerëzit e thjeshtë do ta vlerësonin shumë këtë gjest. Në film është një politikan që bën gjithçka, por për shkak të një aksidenti seksual është i detyruar të ndryshojë jetën e tij. Është frymëzuar nga histori të ndodhura realisht në vitet e fundit.
Çfarë ju trishton më shumë në këtë ambient politik dhe social?
Të shoh këta persona, d.m.th politikanët, që e vënë mënjanë rolin e përfaqësuesit të popullit duke menduar vetëm për privilegjet e veta. Tani njerëzit duan të kthejnë faqen, por ata pretendojnë të qëndrojnë në karrige me forcë. Por italianët po hapin sytë dhe ky më duket një hap i rëndësishëm.
Nuk mendon se në këto vite zgjedhësit kanë gabuar diçka?
Sigurisht. Duhet të vigjilojmë më shumë dhe nuk e kemi bërë. Tani ndryshimi është në duart e të rinjve. Ne më të moshuarit duhet të rrimë pranë tyre për t’i ndihmuar që të bëjmë zgjedhjen e duhur. Pas gjërave që kanë ndodhur kohët e fundit unë u thashë fëmijëve të mi: Ndoshta nuk kemi folur aq sa duhet këto vite”.
Po artistët çfarë përgjegjësish kanë?
Edhe ne jemi përgjegjës për këtë situatë. Me siguri duhet të denoncojmë më shumë këtë mënyrë të jetuari. Por tani ka ardhur momenti t’i themi gjërat ashtu si i mendojmë. Në të kaluarën ndoshta edhe ne kishim frikë të humbnim privilegjet tona, të punonim më pak, të rreshtoheshim majtas apo djathtas. Tani është momenti për të folur.
Meqë ra fjala te të rinjtë ju në teatër keni përfshirë shumë të rinj….
Po, shkuam dhe i kërkuam në shkollat e aktrimit. Momenti është i vështirë edhe për aktorët. Kështu që m’u duk e arsyeshme të synoja tek ata. Doja të rinj me shumë energji, aftësi dhe fantazi. Ne kemi investuar te të rinjtë duke dhënë provën se ata që punojnë mund t’ia dalin mbanë.
Edhe djali juaj 21 vjeç është aktor. Jeni i kënaqur që po ecën në gjurmët e tua?
Sigurisht. Unë kam pesë fëmijë, por jo të gjithë kanë pasion aktrimin. Të jesh aktor është privilegj, por duhet të përgatitesh për një jetë plot sakrifica, mbi të gjitha në teatër. Nuk po flasim për kinemanë apo televizionin duke qenë se ekzistenca është më e thjeshtë. Në teatër duhet të shkosh nëpër turne edhe për 90 ditë, të flesh nëpër hotele të vogla dhe të mos hash mirë.
Po vajza Violante preferon kinemanë?
Pati fatin që e thirrën amerikanët për të punuar atje. Ajo është një vajzë me shpirt rebel, shpirt aventurier. Dhe për këtë zanat është i domosdoshëm. Dhe ne si familje e kemi.