E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria heq vizat me Serbinë, përfitojnë shqiptarët e Preshevës

Shqipëria heq vizat me Serbinë dhe falë këtij vendimi përfitojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Këshilli i Ministrave miratoi dje një shtesë në vendimin Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave dhe të dokumentacionit për hyrjen qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë. Me anë të këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme propozon liberalizimin e regjimit të vizave të qëndrimit afatshkurtër për shtetasit e Serbisë. Kjo masë do të lehtësojë lëvizjen edhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të gjithë shtetasve serbë me kombësi shqiptare, të cilët për shkak të regjimit të vizave, që të hyjnë në Shqipëri u duhet të marrin vizë në ambasadën shqiptare në Beograd. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit Për të huajt, vendi ynë ka marrë përsipër krijimin e një kuadri ligjor, i cili është hartuar në përputhje me të gjitha direktivat e Bashkimit Evropian dhe me dispozitat e marrëveshjes Shengen. Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka lidhur marrëveshje për liberalizimin e regjimit të vizave me të gjitha vendet e rajonit, duke përjashtuar Kroacinë, me të cilën kemi hequr në mënyrë të njëanshme regjimin e vizave, si dhe Serbinë, me të cilën regjimi i vizave mbetet në fuqi. Kjo situatë vendos shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të gjithë shtetasit serbë me kombësi shqiptare në pozita diskriminimi. Për shkak të regjimit të vizave, ndryshe nga të gjithë shqiptarët e tjerë të rajonit, për të hyrë në Shqipëri, atyre u duhet të marrin vizë në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd. Në mbledhjen e datës 13 mars 2010, me propozim të zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave ka miratuar liberalizimin e njëanshëm të regjimit të vizave të qëndrimit afatshkurtër për shtetasit e Republikës së Serbisë. Ky propozim mbështetet edhe në argumentin se pas 19 dhjetorit të vitit 2009, shtetasit serbë udhëtojnë pa vizë në hapësirën Shengen, ndërsa me një vendim të mëparshëm të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, njihen direkt si të vlefshme për të hyrë në territorin e vendit tonë vizat Shengen në pasaportat e shtetasve nga vendet me të cilat Shqipëria ka në fuqi regjim vizash. Në këtë mënyrë bëhet edhe harmonizimi i listës së bardhë (shtetasit e vendeve që hyjnë pa vizë në vendin tonë) me listën e vendeve të Shengenit. Pika 1 e vendimit parashikon që shtetasit serbë, mbajtës të pasaportave të vlefshme të udhëtimit, mund të hyjnë pa viza në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime afatshkurtra ose të kalojnë transit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›