E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimin nuk mund ta premtojnë të gjithë

Genta Petro Kaloçi- Intervista e fundit e z. Topi më tërhoqi vëmendjen për mundimin e tij për t’u transferuar në diçka tjetër nga ajo që ishim mësuar për disa vite me radhë. Përvoja dhe qëndrimet e tij na kanë treguar të gjithëve sesa i pafuqishëm, i paformuar politikisht është, sesa mungon qëndrimi personal, mungesa e opinionit kritik ndaj jetës politike në vendin ku jetojmë së bashku. Intervista më tërhoqi vëmendjen vetëm për një arsye: më konfirmoi besimin dhe mendimin tim se ai vërtet nuk ka qenë President gjatë viteve të bëmave të mëdha të mazhorancës e së cilës ishte pjesë deri disa muaj më parë. Përgëzoi luftën dhe qëndrimet e opozitës, por sipas tij ato nuk ishin të mjaftueshme pasi tërhiqeshin për të mirën e vendit pasi dhe ai vetë e përmendi se ai që ndodhet në pushtet është i rrezikshëm dhe mund të ndërmarrë çdo veprim për të ruajtur privilegjet dhe pushtetin e tij. Sërish pyes: ku ishe ti zotëri kur opozita, me fakte të mjaftueshme ose jo, me një përpjekje të vazhdueshme ose jo, në parlament ose në rrugë, kur populli dilte në protesta kundër qëndrimeve kriminale të asaj opozite që mbaje e të mbante në pushtet? Cili është qëndrimi yt zotëri përsa i përket ngjarjeve si 21 Janari, Gërdeci? Ku ishe ti në sistemin e drejtësisë, së bashku me atë që kishe emëruar si Kryetar të KLD-së, tani Kryetar të AK? Ku ishe ti kur opozita ulërinte për mungesën e pavarësisë së sistemit të Drejtësisë kur në krye te 5 vjetëve kishe mundësi të lëvizje ndonjë gur? Kjo intervistë për fat të keq për ty nuk vajti aq mirë sa mund ta mendoje. Deri dje, dorë për dore me pushtetin dhe tani që dole pa punë, pa rrogë politike mendove: këtu në Shqipëri mblidh disa, bëj një parti më vete, shaj metodën, shaj mënyrën, veprimet, angazhimet, qëndrimet e atij që deri dje nuk pate guximin ti flisje si Presidenti i të gjithëve dhe jo i disave. Të paktën gjatë gjithë asaj interviste the edhe një gjë të vërtetë: isha President i të gjithëve, por në disa çështje isha më i ndjeshëm, për arsye të partisë nga e cila vije. Kjo nuk është pavarësia Institucionale që do të japësh si shembull. Përse tani menduat për të mirën e vendit? Ajo që do mbahet mend nga këto zgjedhje do jetë që opozita arriti të paktën qëllimin për të cilin indirekt i thatë falënderimet tuaja, pasi u zgjuat më në fund nga gjumi letargjik dhe po mundoheni të bëni politikë. Do mund të shkruaja pa fund për rolin tuaj jo ekzistues në politikën e vendit, si një Sali i vogël më i zbehtë dhe i frikësuar për atë që do i tregojë kutia pas 23 qershorit. Zoti ish-President! Qëndrimet politike të së shkuarës tuaj nuk mund të harrohen pasi janë të një periudhe jo të largët dhe akoma i kemi të qarta.  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›