Ndryshohet ligji, paratë për blerjet do paguhen tek noteri
Komisioni i Ligjeve miratoi dje vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet në projektligjin për noterinë që parashikon ruajtjen e të dhënave elektronike për çdo veprim të tyre që ka lidhje me pronat si dhe përfshirjen në regjistrin elektronik të pronave. Ligji i ri parashikon që për çdo transaksion shitblerje, paratë të paguhen tek noteri. Opozita abstenoi duke shprehur dyshime për garancitë që jep ligji për uljen e korrupsionit dhe për lehtësirat që do tu krijohen qytetarëve.
Qytetari do ketë dy vuajtje një nga noteri dhe një nga nëpunësi për shkak se këtu do e transferojë te noteri për shkak të problemeve që do ketë ai me këtë nëpunës. Do kemi një qytetar që shkon tek noteri dhe një noter që shkon po tek të njëjtat zyra të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, po e njëjta burokraci. Ju thatë këtu kompjuterin e ka noteri, po të jemi realisht ti lemë retorikat politike, por ne e dimë si funksionon. Si qëllim është pozitiv, por instrumentet nuk më bindin ta votoj pro, unë do abstenoj, deklaroi nënkryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili mbrojti projektligjin, deklaroi se zbatimi i tij do të shmangë radhët e gjata dhe korrupsionit. Doni të thoni nëse ka korrupsion në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme? Ka korrupsion në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kemi ulur në mënyrë drastike korrupsionin edhe në nivel lokal edhe aty ku drejtohet nga ju apo nga ne. Po propozojmë një mekanizëm që nuk është shpikje e jona. Është mekanizëm që e kanë gjithë vendet anëtare të BE i cili rrit transparencën, deklaroi ministri Halimi.
Në të njëjtën vijë ishte edhe nënkryetari i Dhomës së Noterisë, Fatmir Leçaj, i cili kërkoi që zyrat e noterisë të kthehen në minibanka ku të mbajnë edhe 10 përqindëshin e tatimit mbi fitimit. Duke parë që pasuritë e paluajtshme janë të dixhitalizuar, heqin mundësinë e praktikave korruptive. Unë desha të shtoj edhe një përgjegjësi me të madhe që kërkojmë ne të marrim si noter në regjistrimin e pasurive të paluajtshme për rolin e noterit si agjent tatimor. Në shumë vende të Europës tatimi mbi fitimit e kryen noteri. Në Francë zyrat e noterit janë kthyer në mini-banka. Do ishte mirë që 10% tia lemë noterit ta mbledhë, theksoi nënkryetari i Dhomës së Noterisë, Leçaj.
Sipas projektligjit, të dhënat do të grumbullohen në regjistër elektronik, në të cilin do të kenë akses noterët dhe hipotekat. Noteri duhet të kryejë regjistrimin, ruajtjen, shfrytëzimin, përdorimin dhe transmetimin e të dhënave personale të palëve. Të paraqesë për regjistrim, brenda afatit të përcaktuar me ligj, me pëlqimin e palëve, aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, pranë zyrës që administron regjistrin elektronik, ku ndodhet pasuria e paluajtshme,- janë disa nga ndryshimet që janë bërë në ligjin për noterinë. Noterët do të kenë një kod të posaçëm dhe do të përdorin shenjat e gishtave për tu futur në sistem. Ata do të kenë mundësi që të nxjerrin Certifikatat e Pronësisë nëpërmjet Regjistrit Elektronik. Krahas kësaj, noterët do të kenë mundësi të bëjnë edhe ndryshime në pronësi në rastet kur kemi të bëjmë me blerje të pasurive të paluajtshme,- thuhet në ligj.
Pagesa për tatimin
Paratë blerësi do i paguajë te llogaria bankare e noterit. Nëse një apartament bën 100 mijë euro, blerësi i paguan te noteri. Një udhëzim i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë do të përcaktojë si do ndahen ato. Sot është tatimi 10 % për pasurinë. Noteri kur të mbyllet transaksioni, 10 % do ia kalojë Zyrës së Tatimeve dhe 90 mijë euro do i marrë shitësi.
Investimi
Nuk ka ende një përllogaritje të plotë. Softi i parë që ka të bëjë me dixhitalizimin e arkivës së ZRPP, për fazën e parë ka qenë me vlerë 540 mijë euro dhe është kryer gjatë këtij viti. Është përballur nga projekti i BB, plus 32 mijë euro së bashku me portalin që shohin qytetarët se ku ka shkuar kërkesa e tyre. Softi tjetër që do ndërtohet për noterët për Tiranën e Durrësin është 300 mijë euro dhe kjo është parashikuar në buxhetin e 2012.
Kostoja
Ende nuk dihet se sa do të jetë shuma që qytetarët do të jenë të detyruar të paguajnë për shërbimin e ri. Projektligji përcakton se për kryerjen e shërbimit noterial të regjistrimit të akteve për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, do të paguhet një tarifë e cila do të caktohet nga Ministria e Drejtësisë. Tarifa do të vendoset duke marrë më parë mendimin e ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë. Tarifat do të afishohen në çdo zyrë noteriale dhe çdo veprim i kryer do të pasqyrohet në regjistrin e noterit.
Procedurat aktuale
Shitësi aplikon në zyrën e regjistrimit të pasurive t6ë paluajtshme për të marrë vërtetimin më të fundit të pronësisë (1 ditë)
Shitësi merr vërtetimin e pronësisë nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ( të paktën 10 ditë)
Shqitësi dhe blerësi paraqiten tek noteri ku hartojnë dhe lidhin kontratën (1 ditë)
Blerësi aplikon për regjistrimin në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (1 ditë)
Blerësi merr vërtetimin që është pronar (të paktën 10 ditë)
Si do të bëhet
Shitësi dhe blerësi paraqiten së bashku tek noteri. Shitësi paraqet një dokument të hershëm të pronësisë. Noteri verifikon online nëse shitësi është pronar dhe realizon kontratën, e cila nënshkruhet nga palët. (1 ditë)
Noteri shkon në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe bën regjistrimin (1 ditë)
Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme i dërgon noterit me postë vërtetimin për pronarin e ri ( të paktën 10 ditë)
Blerësi tërheq vërtetimin e pronësisë tek noteri (1 ditë)
