Lufta kundër korrupsionit, Wollfarth: Masa të forta ndëshkuese
Tiranë- Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka ritheksuar rëndësinë e madhe të luftës kundër korrupsionit, për tu integruar në strukturat e BE-së, gjatë një takimi me ILDKP-në dhe student të drejtësisë. Duke shprehur edhe mbështetjen e OSBE-së për insitucionet shqiptare në luftën kundër tij.
“Ne mbështesim si institucionet vendase ashtu edhe shoqërinë civile në promovimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe në marrjen e masave të tjera për të luftuar korrupsionin”- ka deklaruar ambasadori.
Ambasadori Wollfarth është shprehur se korrupsioni në vendin tonë vazhdon të jetë shqetësues, edhe pse janë bërë disa hapa progresiv në luftën kundër tij.
“Megjithëse OJQ-të kanë bërë progres vitet e fundit në përfshirjen në luftën kundër korrupsionit, përpjekjet e tyre mbeten ende të dobëta, të fragmentuara dhe të paqëndrueshme”- u shpreh Wollfarth.
Ambasadori ka vijuar më tej se mungesa e transparencës dhe bazave të qarta ligjore ka penguar luftimin e korrupsionit në vend.
“Mungesa e transparencës dhe baza e paqartë ligjore për të përforcuar të drejtën e pronës përbëjnë një fushë që lehtësojnë korrupsionin dhe dëmtojnë më tej qëllimin e krijimit të një tregu funksional të pronave të paluajtshme. Angazhimi i qartë i autoriteteve për të luftuar korrupsionin nuk është pasuar gjithmonë nga një zbatim konsekuent i ligjeve ekzistuese”- tha Wollfarth.
Sipas ambasadorit të OSBE-së, korrupsioni në vendin tonë shfaqet edhe në gjyqësor, i cili vjen si rrjedhojë e moszbatimit korrekt të ligjit dhe të mungesës së transparëncës. Duke u rikujtuar sërish që imuniteti i zyrtarëve të larta është pengesë e rëndësishme në eleminimin e korruspionit.
“Mund të shtoj se imuniteti i plotë i zyrtarëve të lartë publikë, duke përfshirë edhe gjyqtarët, mbetet pengesë kryesore për një hetim efikas dhe të suksesshëm”- theksoi Wollfarth.
Më tej ambasadori Wollfarth ka apeluar se korrupsioni duhet të adresohet qartë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kemi edhe efekte në luftën kundër tij. Madje ai bëri apel që masat ndeshkuese për personat që përfshihen në korrupsin të jenë të forta.
“Duhet të krijohet një regjistër më bindës dhe më i qëndrueshëm i historikut të vendimeve të gjykatës dhe të ndiqet një politikë më e ashpër dënimesh dhe/ose gjobash në rastet e korrupsionit, sidomos në ato raste ku përfshihen zyrtarë të lartë. Përveç kësaj, trajtimi i vendosur dhe transparent i rasteve që lidhen me akuza për korrupsion, pavarësisht statusit të të akuzuarve mbetet një tregues kyç i pavarësisë gjyqësore”- vijoi më tej Wollfarth. Duke nënvizuar se korrupsioni sjell mungesë stabiliteti, si dhe konflikte të dhunshme.
Dorina Bilbili/IDEA
Shkrime të tjera me interes: