Ndryshojnë orarin
Marrëveshja e liderëve politikë, që zgjedhjet presidenciale të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm, mund të ndryshojë.
Zgjedhja e Presidentit direkt nga populli mund të bëhet për një ditë me zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, që parashihet të mbahen në vjeshtë të vitit 2013.
Ky është një opsion që është diskutuar nga diplomatë të akredituar në Prishtinë me disa përfaqësues të partive politike në Kosovë.
Burime të Express kanë treguar në kushte anonime se po shqyrtohet një opsion për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale në mënyrë që vendi të mos ngecë mbrapa në proceset politike, duke u marrë për çdo vit me zgjedhje.
“Ideja është se aktualisht Kosova ka stabilitet politik dhe institucional. E ka një Presidente neutrale të mbështetur nga forcat kryesore politike dhe ndërkombëtarët.
Reformat kushtetuese po bëhen dhe ndryshimet në Ligjin zgjedhor po ashtu do të bëhen. Duke i parë të gjitha këto, po shikohet mundësia që me një marrëveshje të re, Kosova të organizojë tri palë zgjedhje përnjëherë, në mënyrë që vendi mos të mbesë vetëm duke u marrë me zgjedhje, sepse në çdo kohë zgjedhjesh nuk ka fokus të institucioneve për punët e shtetit, por të gjithë njerëzit merren me zgjedhje”, kanë thënë burime të gazetës.
Ai ka treguar po ashtu se kjo ide po shqyrtohet bashkë me diplomatë perëndimorë në Prishtinë. Ai parasheh që menjëherë pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese palët relevante do të nisin bisedat zyrtare për të arritur një marrëveshje politike për t’i shtyrë zgjedhjet presidenciale deri në kohën e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale.
“Ky opsion do të ketë mbështetje edhe për faktin se kursehet shumë buxhet duke organizuar tri palë zgjedhje për një ditë sepse bëhet vetëm një fushatë, dhe gjitha kryhen me një buxhet sikur të një palë zgjedhjeve që kanë qenë më 2007 shembull. Ndryshimi është se në këto zgjedhje do të shtohej edhe një fletëvotim për President”, ka thënë ai.
Përfaqësues të partive konsiderojnë se ky opsion nuk është e mundshme të ndodh.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se nuk e mbështetë idenë e shtyrjes së këtyre zgjedhjeve.
“Ne e kemi një marrëveshje të nënshkruar në letër. E kemi edhe një dëshmitarë të saj që është ambasadori i SHBA’ve Christopher Dell. Ne absolutisht nuk jemi dakord që zgjedhjet të shtyhen. Duhet të respektohet komplet ajo marrëveshje që e kemi bërë. Çdo mosrespektim i marrëveshjes për neve do të thotë ushtrim i forcës dhe ne nuk jemi dakord me të”, ka thënë Pacolli, të shtunën, për Express.
Ai po ashtu ka thënë se deri tani atij nuk i është përmendur kjo ide.
“Unë besoj se shoqëria jonë në Kosovë, sidomos spektri politik duhet të mësohen të respektojnë marrëveshjet dhe disa norma që janë diskutuar në Parlament dhe është votuar për to. Nëse ndodhë shtyrja e zgjedhjeve, ajo është jashtë marrëveshjes dhe ajo i bie që partnerët që janë nënshkrues të marrëveshjes, nuk e kanë mbajtur fjalën. Ne kurrsesi nuk do të jemi dakord me këtë dhe këtë e them në mënyrë irrevokabile”, ka shtuar Pacolli.
Zëvendëskryeministri i parë Kosovës beson në fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë me rastin e arritjes së marrëveshjes për dalje nga kriza institucionale në të cilën ishte futur vendi.
“Me sa e njohë unë zotin Dell, ai është njeri që gjatë gjithë jetës i ka mbajtur premtimet e dhëna dhe besoj po ashtu se edhe përfaqësuesit e partive tjera që e kanë nënshkruar, e respektojnë atë. Absolutisht unë nuk besoj se do të lejohet të bëhet kompromis në këtë çështje, sepse unë e njoh zotin Dell dhe e di që ai e mban fjalën”, ka thënë Pacolli.
Kundër shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kjo parti opozitare kërkon që marrëveshja Thaçi-Mustafa-Pacolli të realizohet pikë për pikë.
“Ne qëndrojmë prapa marrëveshjes së arritur mes liderëve dhe kërkojmë që ajo të zbatohet. Ne kërkojmë që të vazhdojnë ndryshimet kushtetuese, të vazhdojë ndryshimi i ligjit për zgjedhjet dhe kërkojmë zgjedhjet presidenciale, ato parlamentare dhe lokale të bëhen sipas marrëveshjes që është në fuqi, gjegjësisht rezolutës që kemi nxjerr edhe në Kuvend”, ka thënë të shtunën për Express Ismet Beqiri, sekretar i LDK’së.
Ndryshe, marrëveshja politike që vazhdon të jetë në fuqi e cila është arritur në prill të këtij viti parasheh që ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit duhet mbahen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.