E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektojnë në kufi

Zyrtarë të lartë të Qeverisë kanë vëzhguar të shtunën zbatimin e ndalesës për mallrat serbe në kufirin verior dhe në Merdar. Mimoza Kusari - Lila se vendim duhet të zbatohet me përpikëri. Bajram Rexhepi thotë se nuk do të lejohet bllokimi i rrugëve nga kamionët. Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 09:00

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që të shtohen masat e kontrollit në pikat doganore në Veri të Kosovës dhe të zbatohet me përpikëri vendimi për masat e reciprocitetit me Serbinë.
Këtë kërkesë e ka bërë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, e cila bashkë me së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë të Qeverisë, Behgjet Pacolli dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi kanë vizituar disa pika doganore nëpër Kosovë, ku kanë shikuar se si po zbatohet vendimi për ndalimin e mallrave serbe.
Ministrja Kusari-Lila ka thënë se në pikat doganore me Serbinë nuk vërehet ndonjë fluks i madh i kamionëve me mallra që tentojnë të hyjnë në Kosovë.

“Nëse ka ndonjë rrugë tjetër, e cila nuk kontrollohet fare ose është ndonjë rrugë tërësisht ilegale për këtë nuk mund të them asgjë, mirëpo zyrtarisht fluksi ka rënë tepër edhe në pikën 1 dhe 31 edhe anën veriore të Kosovës. Po them edhe një herë se ishim atje vet personalisht, kemi inspektuar dhe kemi parë se nuk është një situatë shqetësuese në raport me mallrat serbe”, ka thënë Kusari - Lila.

Ajo bëri të ditur se është duke u diskutuar edhe lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me 8 kamionët e mbetur në Merdare.

“Ne gjithmonë kemi thënë dhe i kemi inkurajuar që të kthehen, inkurajojmë ende edhe sot. Kemi pasur dje një ndërmjetësim të EULEX-it në raport me kthimin e tyre në Serbi, kanë biseduar edhe me palën serbe, duket se ka një insistim nga ana e kamionëve që gjithsesi të hyjnë në Kosovë dhe të sjellin mallin në Kosovë. Por është një çështje e cila pastaj kërkon një trajtim më të veçantë për faktin se ky mall nuk mund të zhdoganohet, pasi që është në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës që asnjë mall që mban vulat e Serbisë nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Zyrtarët e qeveritarë kanë theksuar se masat e reciprocitetit kanë ardhur pasi që Serbia qysh para tri vitesh kishte bërë veprime të tilla ndaj Kosovës.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka deklaruar se Policia nuk do të lejojë që kamionët të cilët kanë mbetur në territorin e Kosovës ta bllokojnë rrugën, ashtu siç është paralajmëruar.

“Çka është në territorin e Kosovës, policia do të bëjë zhbllokimin dhe nuk munden të bllokojnë rrugën. Kjo i kap interesat personale të individëve, por ajo nuk do të jetë pengesë për të gjithë, sepse nuk do të lejohet bllokimi i rrugëve”, ka theksuar Rexhepi.
Sipas Rexhepit, është interes i dy shteteve që të lejohet qarkullimi i lirë për të dyja palët dhe jo të bëhet dëm ndaj njërës palë.

Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa ka vendosur taksa doganore prej 10 për qind për produktet e Bosnje e Hercegovinës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›