E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon klasifikimi ekonomik boteror per 2011-en

Harta ekonomike botërore, duke filluar nga 2011 e deri në 2020, do të ketë ndryshime të dukshme. Sipas një studimi nga Qendra Kërkimore për Ekonominë dhe Biznesin, surpriza e këtij viti ka qenë ekonomia braziliane, e cila ka tejkaluar atë britanike, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë në 10 ekonomitë më të fuqishme botërore.
Viti 2011 ka ndryshuar klasifikimin botëror të ekonomive. Në renditjen e fundit Qendra e Kërkimit Ekonomik dhe Biznesit, e ka çuar ekonominë britanike në vendin e shtatë duke shkëmbyer pozicionin me Brazilin, ekonomia e të cilit këtë vit zë vendin e gjashtë. Sipas institutit kërkimor britanik, harta ekonomike e botës ka ndryshuar me vendet aziatike të cilat janë prodhuesit kryesor të lëndëve të para në botë, ndërkohë që Europa mbetet pas.
Gjithsesi edhe për vitin 2011, në vend të parë me ekonominë më të fuqishme në botë, renditen SHBA-të ndjekur më pas nga Kina. Në vend të tretë, pavarësisht katastrofave natyrore të pranverës, vendoset ekonomia japoneze. Vendi i katërt dhe i pestë i rezervohet respektivisht Gjermanisë dhe Francës. Surpriza e vitit është ngjitja në klasifikim e ekonomisë braziliane, në vendin e gjashtë e cila ka tejkaluar Britaninë e Madhe, që aktualisht mban vendin e shtatë. Në vendit e tetë klasifikohet ekonomia italiane pavarësisht periudhës së një krize të fortë që po përjeton. Edhe për këtë vit Rusia qëndron në vendin e nëntë, ndërsa në vendin e fundit të listës “top ten” të ekonomive më të mira në botë qëndron India.
Sipas institutit kërkimor mbi ekonominë dhe biznesin, Britania e Madhe ka qenë më parë në vendin e katërt në botë, kur në krye të qeverisë drejtonte Tony Blair, ndërkohë që pas vitit 2006 është përmbysur nga ekonomia kineze. Me krizën aktuale të borxhit publik për ekonomitë europiane, vendet emergjente kanë patur një vit të susksesshëm, duke synuar të ecin përpara derisa të arrijnë nivelet më të larta të ekonomisë botërore.
Gjithashtu qendra e kërkimit për ekonominë dhe biznesin ka parashikuar se brenda vitit 2020, harta botërore e ekonomisë do të vijojë të ndryshojë. Do të mbetet e pandryshuar për tre ekonomitë e para SHBA, Kinë, Japoni, dhe do të ndryshojë për Rusinë, e cila pritet të ngjitet në vendin e katërt e ndjekur nga India dhe Brazili. Gjermania pritet të zbresë në vendin e shtatë, në të tetin BM dhe e mbyll renditjen e 10-tëshes së ekonomive më të mira në botë, Franca dhe Italia.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›