Ndryshon plani i huamarrjesa
Ministria e Financave ndryshon planin e huamarrjes, nisur nga disa faktorë të brendshëm. Në kalendarin e ankandeve të bonove, ishte parashikuar emetimi i letrës me afat 12-mujor, 11.6 miliardë lekë, por papritur Financat kanë rritur kërkesën me 3 miliardë lekë të tjera, duke e çuar në 14.6 miliardë lekë. Sipas ministrisë, shuma e rritur nuk prek kufirin total, pasi ka qenë e planifikuar për t’u marrë në muajin gusht, por për arsye që lidhen me shtyrjen e eurobondit dhe shmangien e presionit të bankave tek interesat, u pa e arsyeshme ndryshimi i kalendarit.
“Huamarrja nuk është rritur me 3 miliardë lekë, në fakt nuk është rritur aspak. Shifra e emetimit në kalendarin e fundit të botuar në faqen zyrtare është e barabartë me shifrën e maturimit për muajin korrik, pra huamarrja neto është 0. Ne e patëm ndryshuar strukturën e ankandeve fillimisht duke e zvogëluar me 3 miliardë shifrën për korrikun, për t’ia shtuar këtë shifër gushtit, por më pas hoqëm dorë nga ky plan”, sqarojnë burime të sigurta të ministrisë.
Për të gjithë muajin korrik, Ministria e Financave ka planifikuar të kryejë dy ankande me vlerë 55.8 miliardë lekë, ku 25 miliardë e 650 milionë lekë janë bono 12-mujore, 17 miliardë lekë për afat 3-mujor dhe 13 miliardë e 180 milionë lekë janë 3-mujore (të gjitha janë borxh që u merren bankave vendase). Por, ministria sqaron se jo e gjitha është huamarrje e re, pasi në shumën totale prej 55.8 miliardë lekësh janë vendosur edhe operacionet e riskedulimit, maturimit të shumës.
Ministria e Financave është duke mbajtur nën kontroll bankat, duke bërë të ditur çdo hap dhe qartësimin rreth ankandeve, në mënyrë që të mos ketë presione mbi interesat e bonove.
Të gjitha këto ndryshime vijnë në një kohë kur emetimi i eurobondit nuk pati sukses, për shkak të pasigurive në tregje. Ndryshimi i shumave që emeton ministria është një çështje e brendshme e saj dhe kryhet në varësi të situatës, si dhe për të shmangur vështirësitë për drejtorinë e thesarit.
Qeveria e ka rritur huamarrjen nga bankat private në vend si pamundësi për të dalë në tregun e huaj (eurobondi). Të dhënat tregojnë se për gjysmën e parë të vitit qeveria ka marrë borxh në tregun e brendshëm plot 20 miliardë lekë ose 4 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, kur kredia për sektorin privat ishte sipas Shoqatës së Bankave vetëm 9 miliardë lekë, shifër kjo më e ulët edhe se sa ajo e vitit të kaluar, kur sistemi bankar po përballej me tërheqje masive të depozitave dhe bankat nuk kishin fonde të lira. Nga ana tjetër, gjendja e likuiditetit në banka paraqitet pozitive. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, depozitat në banka janë rritur me 30 miliardë lekë. Mbi 70 për qind e kësaj shume është marrë nga qeveria dhe jo nga biznesi. Për të gjithë vitin qeveria ka parashikuar të marrë borxh të brendshëm 49.7 miliardë lekë, pak a shumë në të njëjtat nivele si vitin e kaluar.
#