E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promemorie për të mbrojtur trashëgiminë

Rezultati i tryezës së djeshme për trashëgiminë, iniciuar nga Qendra Shqiptare e Trashëgimisë, ishte konstatimi që trashëgimia kulturore është në gjendje kritike. Specialistë të fushës, përfaqësues apo drejtues shoqatash të lidhura me trashëgiminë, dashamirës të kësaj fushe dhe përfaqësues të medias kanë diskutuar rreth dy orë për situatën e këtyre 20 viteve të fundit në Shqipëri. Rrjedhimisht, të gjitha diskutimet kanë çuar në një tezë të përbashkët: tryeza duhet të prodhojë një plan konkret veprimi. Në këtë takim nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i institucioneve shtetërore të kulturës, ndonëse Shkreli bëri të ditur se ftesa kishte shkuar për të gjithë. Pas fjalës së Artan Shkrelit, i cili ishte njëkohësisht edhe nismëtari i kësaj tryeze, që shpalosi rrezikun e zhdukjes përditë të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare, diskutimi u vërtit rreth punës që bëjnë sot institucionet e kulturës për mbrojtjen e trashëgimisë, ndjeshmërisë që shoqëria shqiptare shfaq ndaj këtyre vlerave, rëndësinë e një procesi edukativ mbi trashëgiminë për brezat e rinj, duke shkuar edhe në propozime si ai i historianit Dritan Egro që nga kjo tryezë të lindte një fondacion, i cili të vepronte në terren paralelisht me institucionet shtetërore. Të pranishmit iu bashkuan promemories së hartuar me këtë rast, drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, por edhe Akademisë së Shkencave, Shoqatës së Bashkive por edhe Shoqatës së Komunave. Duke bërë sugjerime që do të gjejnë pasqyrim në këtë promemorie, pas një pasqyre të situatës reale të trashëgimisë sot, specialistët kanë hartuar disa kërkesa drejtuar politikës, qeverisë dhe bashkive që kanë në administrim pasuri kulturore. Nga politika kërkohet vëmendje ndaj situatës së rënduar tashmë prej vitesh të mbijetesës së trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. Nga qeveria kërkohet rritje të ndjeshmërisë së të gjithë piramidës institucionale ndaj trashëgimisë kulturore si dhe mospenalizimi i buxheteve tejet modeste, të planifikuar për trashëgiminë kulturore. Specialistët kanë kërkuar integrimin nëpër strukturat e trashëgimisë kulturore të prurjeve të reja të shkolluara e të specializuara. Një tjetër pikë ka të bëjë me kërkesën drejtuar qeverisë për ndërmarrjen e një fushate thelbësore, me qëllim çlirimin e objekteve të trashëgimisë kulturore nga ndërtimet pa leje apo me leje të jashtëligjshme. Në kushtet kur vazhdon të diskutohet ende për reforma apo për ligjin e trashëgimisë, kjo tryezë sugjeroi përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në fushën e trashëgimisë kulturore, si dhe kontrollin e fatit të asaj pjese të trashëgimisë kulturore që në procesin e decentralizimit, transferohet në administrim apo në pronësi të qeverisjes vendore. Duke mos lënë mënjanë këtë të fundit, specialistët kanë kërkuar po ashtu rritjen e vëmendjes ndaj trashëgimisë kulturore në administrimin e tyre, ngritjen e zyrave, sektorëve apo drejtorive që mbulojnë fushën e trashëgimisë, si dhe ruajtjen e muzeve të qyteteve, historikë apo tematikë qofshin. Një pikë kritike është ajo që ka të bëjë me marrjen parasysh në procesin e planifikimit urban të trashëgimisë kulturore ekzistente apo potenciale që gjenden në territoret që këto njësi vendore administrojnë.

Diskutimet

çështja e trashëgimisë dhe e problemeve të trashëguara gjatë këtyre 20 viteve të fundit, pa si bashkëveprim një sërë faktorësh: moskryerjen e detyrave nga institucionet shtetërore, neglizhencën e shoqërisë, si dhe mungesën e një programi mësimor edukues. Arkitekti Maks Velo ishte nga ata që situatën në të cilën ndodhet sot trashëgimia shqiptare ia faturoi mosfunksionimit të shumë instancave te ne, duke u ndalur më gjatë në Institutin e Monumenteve të Kulturës. “Ne duhet ta analizojmë më mirë veprimtarinë e IMK-së. Ata vet i janë shmangur angazhimit duke u spostuar në detyra të tjera: disa janë bërë politikanë dhe kanë mbetur shumë pak specialistë”, ka theksuar Velo, i cili nuk ka lënë pa përmendur jo vetëm si rast neglizhence, por edhe si rast kur ngjyrimet politike përfshihen në trashëgimi, mungesën e ndërhyrjeve në dëmtimet që i bëhen veprave të realizmit socialist. Si shembull ka sjellë parullat që gjendeshin më parë përgjatë rrugës Tiranë-Elbasan, diskutimin për prishjen e mozaikut të Muzeut Kombëtar apo edhe të mozaikut që u shpërngul nga godina ku jetoi familja mbretërore. Fatos Lubonja, i cili dhjetë vjet më parë së bashku me Artan Lamen kanë botuar librin “Trashëgimia në rrezik”, ka theksuar se ai ndjehet i pafuqishëm dhe gati i dorëzuar ndaj kësaj situate, ku askush nuk dëgjon dhe as reagon.

“Katastrofa është rezultati i të gjithëve ne dhe jo vetëm institucioneve shtetërore, sepse trashëgimia është e përbashkët dhe pjesë e rëndësishme e asaj që quhet mirëqenie. Ne lejuam që institucionet të pushtoheshin nga njerëz që u pasuruan vet në vend që të mbronin kulturën. Ishin po këto institucione që manipuluan opinionin publik. Shoqëria civile duhet të denoncojë këto institucione dhe të japë idenë se si mund të funksionojnë më mirë”, ka thënë Lubonja. Duke iu referuar pikëpamjes juridike, Ylli Manjani theksoi se deri më sot, asnjë shoqatë nuk ka denjuar të padisë një institucion kulturor apo bashki, në rastet kur janë vërejtur shkelje të ligjit. “Ndonëse ne kemi një sistem gjyqësor me probleme, gjykatat tona nuk kanë gjykuar asnjëherë çështje që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore dhe kjo është e mundur kur dispozitat ligjore ekzistojnë”, ka thënë ai, duke iu referuar një heshtjeje të përgjithshme ndaj shkeljeve, të cilat shkojnë tek e shumta në një denoncim mediatik. Kryetari i Federatës së Koleksionistëve shqiptarë, Bajram Peçi, gjatë fjalës së tij është ndalur te humbjet e shumta të pasurive kulturore menjëherë pas viteve ‘90 dhe neglizhencën e shtetit për ta bërë pjesë të arkivave apo muzeve këtë pasuri. “Nga viti ‘90 e deri më sot, një pjesë e madhe e kësaj pasurie kulturore e popullit shqiptar, ka dalë nga territori i Shqipërisë dhe është shitur në kushtet e varfërisë së shqiptarëve, sidomos në fillimet e ‘90-s. Federata jonë organizon aktivitete ndërkombëtare për ekspozimin e koleksioneve, veçse në Shqipëri e ka të pamundur të ekspozojë, pasi asnjë institucion i yni nuk ka stenda ekspozimi.

Shtetit tonë i mungon kujtesa. Administrata e Bankës së Shtetit Shqiptar kur iu desh të bënte një katalog të monedhave dhe kartëmonedhave, nuk kishte emetimet e saj nga viti 1926 por kërkoi ndihmën e koleksionistëve. Posta Shqiptare nuk ka në atë që quhet muzeu i saj, emetimet e saj nga viti 1913-1945. Janë vetëm gjëra gjysmake që u janë sekuestruar tregtarëve shqiptarë në vitet e komunizmit. As Banka e as Posta nuk interesohen t’i blejnë e t’i ruajnë”, ka theksuar Peçi. Ndërkohë që Lorenc Bejko, ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, i është referuar edhe një herë draft-reformës së trashëgimisë kulturore që me shumë mundësi do të shkojë këto ditë në Parlament, duke theksuar se në të ka shumë pika të kundërshtueshme. Ndërkohë, ashtu si edhe shumë të ftuar të kësaj tryeze, Ardian Klosi theksoi se duhen gjetur mënyrat që promemoria e hartuar të ketë “presion” në strukturat shtetërore dhe sensibilizim për opinionin e gjerë. Në fakt diskutimi shtohet gjithnjë në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe shoqatave apo shoqërisë civile, ndërkohë që nga viti në vit shtohet lista e monumenteve që dëmtohen dhe e atyre që zhduken përgjithnjë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›