E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen 46 kuota specializimesh, qeveria qetëson studentët



Anilejda Shëmbitraku

Dje, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave është marrë vendimi për shtimin e 46 kuotave për specializimet afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë. Pranimet tashmë nuk do të jenë 400, sipas vendimit fillesat të KM, por 446. Ky vendim i qeverisë, ashtu siç ishte deklaruar dhe para pak ditësh, sipas burimeve për gazetën “Albania”, ka qenë e vetmja mënyrë për qetësimin e studentëve, të cilët kishin pothuajse një muaj që protestonin për parregullsitë në zhvillimin e konkursit në Fakultetin e Mjekësisë.

Kuota
Krahas skandalit me specializimet, që u shpalos gjatë muajit të kaluar, mungesa e kuotave për këto programe e ka vështirësuar situatën. Kështu, programet e specializimeve u çelën për herë të parë pas katër vjetësh, duke përballuar një fluks shumë herë më të madh sesa mund të përballoheshin nga kuotat e miratuara nga qeveria, duke sjellë si pasojë që studentë me pikë afër maksimales të mbeten jashtë listës së fituesve. Si pasojë e kësaj situate, rektorati i Universitetit të Tiranës i kërkoi pak ditë më parë zyrtarisht Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës që të shtojë 100 kuota në numrin e kuotave të miratuara për këto programe, në mënyrë që të arrijnë të pranohen në specializime edhe ata studentë absolut që për shkak të kuotave të pakta dhe aplikimeve të shumta nuk u pranuan.

Skandali
Me rifillimin e këtyre programeve, sipas burimeve për gazetën “Albania”, u hasën një sërë parregullsish, përfshi këtu edhe shtim të pikëve të disa aplikantëve të caktuar, kryesisht fëmijë mjekësh, mbi numrin maksimal të pikëve të mundshme. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë kërkuar nga dekanati i këtij fakulteti anulimin e të gjitha konkurseve për specializimet. Ata kanë denoncuar abuzimet që janë bërë me listat e fituesve, duke deklaruar se krahas prokurorisë, pranë së cilës do të bëhen kallëzime të tjera penale ndaj përgjegjësve, studentët do të vazhdojnë protestat deri ne plotësimin e kërkesave të tyre. Dyshimet, të cilat janë bërë shkak i protestave të studentëve të Mjekësisë, e kanë origjinën në zhvendosjen e pamotivuar dhe të papritur të listës së fituesve për Kirurgjinë Maksimo-Faciale, duke eliminuar dy prej tyre dhe duke ngjitur në vendin e 2-të dhe të 4-t studentët e renditur në vendin e 9-të dhe 10-të të listës.
Këto probleme, sipas rektoratit arritën të zgjidheshin, por numri i vogël i kuotave bën që një sere studentësh të mire të mbeten jashtë specializimeve.

Ministria e Punës
2011, Ksera premton 12 mijë vende të reja pune

Rishikimi i skemës së ndihmës ekonomike në të gjithë vendit do të jetë sfida kryesore e Ministrisë së Punës. Ministri Spiro Ksera tha se do të identifikohen të gjitha ato familje që janë futur në këtë skemë në mënyrë abuzive, ndërkohë që për herë të parë do të përfitojnë nga ajo edhe viktimat e dhunës në familje.
“Ngritjen dhe funksionimin e regjistrit dixhital me të dhënat e kërkuesve dhe përfituesve të ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe shërbimeve të kujdesit në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Ndërtimi i këtij rrjeti do ta bëjë më të kontrollueshëm skemën, duke ulur në maksimum abuzivitetin dhe duke krijuar mundësinë që të mos mbeten jashtë skemës së mbështetjes me të ardhura familje apo individë në nevojë”, - ka deklaruar Spiro Ksera, ministër i Punës. Ai ka deklaruar një reduktim të papunësisë në vend, duke premtuar këtë vit rreth 12 mijë punësime, duke ndikuar kështu dhe në uljen e varfërisë. “Përsa i përket punësimit dhe afërsisht ne e kemi mbajtur normën në 13%, këtë vit qëllimi jonë është që të hedhim në tregun e punës shumë të rinj”, - tha Ksera. Prioritet për Ministrinë e Punës do të jetë dhe rritja e pensioneve, të cilat janë parashikuar që për këtë vit për qytetin të rritet në masën 5% dhe për fshatin 10%.

20 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›