E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon projektligji per privatizimin e Albpetrolit

Kompania që do të privatizojë Albpetrolin nuk do të shfrytëzojë burimet natyrore me një afat të papërcaktuar. Në projektligjin e privatizimit janë bërë disa ndryshime, që fiksojnë një periudhë prej 25 vitesh për shfrytëzimin e rezervave natyrore dhe të drejtat e kërkimit të naftës. Përmes një vendimi të sjellë për shqyrtim në komisionet parlamentare, qeveria ka propozuar disa ndryshime në ligjin për privatizimin e Albeptrolit, duke e zhveshur atë nga disa privilegje që gëzonte si kompani shtetërore dhe shmangur atë që mund të cilësohej si shitje e burimeve natyrore. Kjo ka qenë një çështje, e cila është debatuar gjatë nga deputetët e opozitës, të cilët kundërshtonin shfrytëzimin e një afati të gjatë dhe të papërcaktuar të burimeve. Pikë tjetër që parashikon projektligji i qeverisë është edhe ai që e kushtëzon kompaninë që privatizon Albpetrolin për të respektuar marrëveshjet hidrokarbure me palët e treta, të cilat përpunojnë naftën dhe gazin natyrore që prodhon Albpetrol. Po ashtu, ndryshimet ligjore të propozuara i lejojnë ekzekutivit që të ruajë kontrollin e tij mbi këtë kompani, e cila pas ndryshimit të statusit, nuk do të mund të nënshkruajë në mënyrë të njëanshme, marrëveshje me palë të treta për të kryer operacione hidrokarbure. Sipas ekspertëve të ministrisë Ekonomisë, me këto ndryshime bëhet i mundur barazimi i Albpetrolit me shoqëritë e tjera private të kërkimit dhe prodhimit të naftës.  Tenderi ndërkombëtar për këtë kompani pritet të çelet në fund të muajit mars.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›