Ndryshon rregullorja me 73 vota

Mazhoranca miraton e vetme pa opozitën ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Me 73 vota pro, Partia Demokratike, duke bashkuar votat me Lëvizjen Socialiste për Integrim, votoi pro amendamentit për votim të hapur për dekretet e Presidentit. Ndërkohë që opozita largohet nga salla, mazhorancës i mungonte kuorumi i duhur për të miratuar ndryshimet në rregullore dhe si rrjedhojë mbledhja shtyhet për në orën 18.30. Por nuk ka zgjatur as më shumë se 50 minuta dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, së bashku me kreun e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozin, urdhëruan të gjithë deputetët e mazhorancës dhe ministrat të vijnë në sallë për të votuar amendamentet. Amendimi i rregullores parashikon gjithashtu ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve presidenciale në Kuvend, nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë.
Rrezikohet kuorumiE djathta parlamentare rrezikon mazhorancën e numrave në Parlament. Largimi i opozitës nga salla e Parlamentit dhe mungesa e kuorumit të deputetëve të djathtë ka rrezikuar shtyrjen e votimit për ndryshimet në rregullore për seancën e ardhshme, por kryetarja e Parlamentit dhe kreu i grupit parlamentar demokrat kanë marrë situatën nën kontroll. Në fillim është paralajmëruar shtyrja e seancës për 2 orë e gjysmë pushim, por në të vërtetë mbledhja e Parlamentit ka filluar menjëherë pas largimit të opozitës nga Parlamenti. Deputetët e mazhorancës janë larguar për të parë ndeshjen e botërorit, por janë rikthyer sërish me urgjencë në Parlament për të votuar amendamentet për ndryshimin e rregullores. Ndryshimi i rregullores së Kuvendit parashikon votim të hapur për dekretet e Presidentit, edhe për zgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses apo Gjykatës së Lartë. Socialistët u larguan pak minuta para se mazhoranca të vendoste për një pushim prej dy orë e gjysmë, që më vonë nuk zgjati as 50 minuta. Me largimin e saj, Partia Socialiste kushtëzon dhe nuk jep konsensusin për projektligjet e tjera që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ky votim i njëanshëm i rregullores duket se mban larg konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës.
Debati“Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, për të mos qenë fajtor, por as dëshmitar i këtij akti të turpshëm, merr vendimin që të largohet nga kjo sallë”, është shprehur kreu i grupit parlamentar socialist. Si kundërpërgjigje, demokratët nëpërmjet kreut të grupit të tyre parlamentar, Astrit Patozi, bëjnë me dije se “nuk cenohet asnjë nen i legjislacionit shqiptar. Në 8 vjet qeverisje të PS-së u vunë në krye të gjykatave njerëz që kishin kryer vrasje”. Pak para se grupi i PS-së të largohej nga salla e Kuvendit, Gramoz Ruçi hodhi akuza të ashpra ndaj Partisë Demokratike. Duke e quajtur tentativën e mazhorancës si një standard të vjetër dhe standard kulisash, Ruçi u shpreh se “jeni ju të mazhorancës deputetë kulisash dhe të korruptuar, jeni klientë komercialë, jeni të pabesuar të Kryeministrit tuaj. Ky është mesazhi që jep amendamenti. Na jepen argumente se po vendoset një standard amerikan. Sa mirë e kapni dhe e përdorni si argument Amerikën, por nëse duhet t’i vendosim ato duhet të fillojmë nga transparenca e zgjedhjeve”. Kjo nismë e të djathtëve është argumentuar nga socialistët si mënyrë për të vënë nën kontroll politik gjykatat. Socialistët thonë se me votën e hapur, Kryeministri Berisha kërkon të kontrollojë numrat e mazhorancës, që janë delikatë, sidomos kur bëhet fjalë për dekretet e një Presidenti, që dikur ka qenë pjesë e Partisë Demokratike. Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për mënyrën e shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit parashikojnë votimin e hapur, ndryshe nga sa është bërë deri tani, kur procedohej me votim të fshehtë me kuti.
#