E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon sistemi i vizave dhe “listës së zezë”. 1 miliard USD për sigurinë

Ne jemi në luftë. Jemi në luftë me Al Qaedan dhe do të bëjmë ç’është e mundur për ta luftuar atë”, ishin këto fjalët me të cilat Presidenti Obama iu drejtua popullit amerikan të mbërthyer sërish nga frika e terrorizmit pas atentatit të dështuar në avionin e kompanisë “Delta” ditën e Krishtlindjeve në Amerikë. Në fjalët e tij Obama deklaroi se përgjegjësia për dështimin e sistemeve të sigurisë bie plotësisht mbi të dhe se gjëra të tilla, 9 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, nuk duhet të ndodhin më. Ai kritikoi ashpër agjencitë e inteligjencës që nuk arritën të lidhnin dot pjesët për reduktimin e sulmit të planifikuar në Jemen.
Në fjalimin drejtuar kombit, për të prezantuar raportin zyrtar të qeverisë mbi gabimet e bëra nga shërbimi i inteligjencës amerikane për atentatin e dështuar, Obama i siguroi qytetarët se ndryshimet e bëra në sistemet e sigurisë do t’i bëjnë ata të ndihen më të mbrojtur. Presidenti shtoi se atentati i ditës së Krishtlindjeve nuk ka qenë dështimi i një individi të vetëm, por i një sistemi të tërë. Edhe pse shërbimi sekret i kishte të gjitha mënyrat për ta parandaluar, kjo nuk ndodhi. Obama raportoi edhe për masat e reja të ndërmarra për të parandaluar ngjarje të tilla: akordimi i një shume prej 1 miliard dollarësh për sigurinë, forcimi i sistemit të “listës së zezë” (domethënë të dyshuarit për terrorizëm nuk do të pranohen në avionët drejt SHBA-së) dhe rishikimi i sistemit të dhënies së vizave për të hyrë në Amerikë.
Në të ardhmen, siguroi ai, shërbimi inteligjent duhet të ndërmarrë përgjegjësi specifike për të hetuar mbi të gjitha kërcënimet e mundshme. Kush do të gabojë, do ta paguajë shtrenjtë. “Përgjegjësia përfundimtare është gjithmonë e Presidentit”, pranoi Obama. Më tej ai tha se nuk është momenti për të drejtuar gishtin kundër ndonjë njeriu në veçanti, por duhen korrigjuar gabimet që ka treguar sistemi dhe duhen krijuar reforma të domosdoshme për të evituar që të përsëriten incidente të tilla. Ai përjashtoi hipotezën e largimeve të krerëve të agjencive qeveritare që nuk qenë në gjendje të lidhnin elementët në dispozicion për të parandaluar rrezikun.
Në fund ai i ftoi partnerët ndërkombëtarë për të forcuar masat e tyre të sigurisë dhe kontrollet në aeroportet respektive. “Me atë çka ndodhi, të gjithë duhet të kujtojmë se jemi në luftë me Al Qaedan”, përfundoi ai. Menjëherë pas Presidentit Obama foli Janet Napolitano, Sekretarja për Sigurinë e Brendshme. Ajo deklaroi se shumë shpejt do të udhëtojë drejt Spanjës për një mbledhje me ministrat europianë për koordinimin dhe forcimin e masave të sigurisë në luftën kundër terrorizmit. “Ne duhet të përshpejtojmë hapat për vënien në përdorim të teknologjisë së avancuar, në mënyrë që të kemi mundësi më të mëdha për të zbuluar eksplozivët, si ata që u tentuan të përdoreshin në sulmin e ditës së Krishtlindjeve.
Momentalisht në Shtetet e Bashkuara janë vendosur 40 pajisje të teknologjisë së fundit. Gjatë këtij viti ne planifikojmë të vendosim edhe 300 pajisje të tilla në aeroportet tona, ndoshta edhe më shumë. Incidenti i ditës së Krishtlindjeve tregoi se procedurat e kontrollit në aeroportet e vendeve të tjera kanë rëndësi kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”. Napolitano tha se brenda 2010-ës do të instalohen të paktën 300 skanerë në aeroportet e vendit, për të forcuar sistemet e sigurisë. Presidenti tha se masat e reja për sigurinë do të hyjnë menjëherë në fuqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›