Video-porosi e vrasësit të agjentëve të CIA-s

Mjeku nga Jordania, i cili vrau shtatë agjentë të CIA-s, pas sulmit vetëvrasës të ndërmarrë në një bazë ushtarake amerikane në Afganistan, kishte theksuar se xhihadistët duhet të sulmojnë shënjestrat amerikane, për t’u hakmarrë për vrasjen e udhëheqësit të talebanëve në Pakistan, thuhet në video-porosinë e tij të xhiruar para sulmit, e cila u publikua sot.
Humam Khalil Abu Mulal al-Balawi në video mund të shihet pranë udhëheqësit të ri të talebanëve në Pakistan, Hakimullah Mehsudit dhe shpjegon se si xhihadistët myslimanë nga vendet tjera janë strehuar nga talebanët në Pakistan dhe se ata duhet të hakmerren për sulmet e ndërmarra nga SHBA-ja.
Në gusht të vitit të kaluar, Baitullah Mehsud, komandanti suprem u talebanëve në Pakistan, u vra pas një sulmi me raketë, të ndërmarrë nga CIA.
“Ne nuk do të harrojmë kurrë gjakun e emirit tonë, Baitullah Mehsudit. Ne do të kërkojmë gjithmonë hakmarrje për të, si brenda, ashtu edhe jashtë SHBA-së. Është ky një obligim i xhihadistëve, të cilët janë mirëpritur nga emiri”, thotë Balaëi në porosi.
Në xhirimin në kohëzgjatje prej një minute e gjysmë, Balawi mund të shihet i veshur me veshje tradicionale afgane.
Agjencia IntelCenter, grup ky me seli në SHBA, e cila monitoron faqet e ekstremistëve në internet, theksoi se videoja është publikuar nga ana e talebanëve në Pakistan.
Zyrtarët e shërbimit të inteligjencës së Jordanisë kanë theksuar se kishin besuar se Balawi, 32 vjeç, ishte bindur që të mbështetë përpjekjet e SHBA-së kundër Al Qaidës në Afganistan. Ata kanë theksuar se Balawi ishte rekrutuar, për të ndihmuar në kapjen apo vrasjen e njeriut numër dy të Al Qaidës, Ayman Al Zavahrit, një mjek nga Egjipti, i cili është dora e djathtë e udhëheqësit të Al Qaidës, Osama Bin Ladenit.
Al Balawi hodhi veten në ajër, gjatë një takimi me shtatë agjentë të CIA-s në lindje të Afganistanit.
Në video-xhirim, Al Balawi duket se përqesh raportet se ai ka qenë informator i CIA-s apo shërbimit jordanez të inteligjencës.
“Xhihadistët nuk e vendosin religjionin e tyre në tavolinën e tregtisë dhe nuk do të shesin religjionin e tyre, madje edhe nëse vendosni diellin në dorën e tij të djathtë dhe hënën në dorën e tij të majtë”, theksoi Al Balawi, duke iu referuar një sure në Kuran.
Al Balawi porosinë e tij e përfundon duke thënë se talebanët, nën kryesimin e emirit të ri, Hakimullahut, do të vazhdojnë luftën deri në fitore.
Talebanët në Pakistan emëruan Hakimullahun për kryesues të tyre të ri, pas vrasjes së Baitullahut.
Sulmi kundër agjentëve të CIA-sa është sulmi i profilit më të lartë të ndërmarrë nga ana e talebanëve në Pakistan, nën kryesimin e Hakimullahut. Besohet se udhëheqësi i ri i talebanëve po strehohet diku ndërmjet Vaziristanit Jugor dhe Verior.
Talebanët në Pakistan janë një lëvizje e ndarë nga talebanët në Afganistan. Është e pazakonshme që një grup të merr përgjegjësinë për sulmin e ndërmarrë në territorin e një grupi tjetër, siç bënë talebanët në Pakistan në rastin e sulmit kundër agjentëve të CIA-s. Por që të dy këto lëvizje kryesohen nga pashtunët, një grup etnik, i cili jeton në të dyja anët e kufirit.
Përkundër faktit se është besuar se talebanët në Pakistan janë goditur rëndë, pas vrasjes së Baitullahut dhe fillimit të ofensivës së ushtrisë pakistaneze, kjo lëvizje megjithatë ka arritur të eskalojë dhunën që nga tetori i vitit të kaluar, me një seri të sulmeve, si pasojë e të cilave kanë vdekur mbi 600 persona. (AP)