E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngatërrohen cimat e spirancave, vështirësohet shkëputja nga kalata e portit

Moti i keq ka vënë në rrezik serioz dy prej trageteve të linjës Vlorë-Brindizi, të cilët për pak janë përplasur me njëri-tjetrin. Cimat e dy spirancave të majta të dy trageteve janë ngatërruar me njëra-tjetrën dhe si rrjedhojë e kanë pasur të pamundur të dalin nga kalata e portit. Për më shumë se dy orë, dy tragetet kanë bërë tentativa të shkëputen nga njëri-tjetri, por ka qenë mjaft e vështirë. Falë ndërhyrjes së Kapitanerisë së portit dhe autoriteteve portuale është bërë e mundur shkëputja e spirancave pa krijuar incidente.
Fundi i njërit prej trageteve, si pasojë e lëkundjeve dhe valëzimit të fortë të detit është zvarritur pas kalatës, por pa shkaktuar dëme serioze apo vërë në rrezik pasagjerët. Në kohën kur ka ndodhur incidenti, në tragetet e linjës me Italinë po ngarkoheshin pasagjerët dhe automjetet, gjë e cila u ndërpre menjëherë. Jo të gjithë pasagjerët që kishin planifikuar të lundronin në mëngjes drejt brigjeve italiane kanë mundur të imbarkohen dhe të mbeturit jashtë janë nisur në orën 16:30 me tragetin e pasdites.
Shefi i Kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, ka sqaruar për “Shqip” se incidenti është krijuar për shkak të kushteve të këqija atmosferike, por edhe si pasojë e amortizimit të tepërt të kalatës së Portit të Vlorës. Sipas Gogës, kalata është e pambrojtur dhe e papërshtatshme në kushte të vështira atmosferike për anijet e tonazhit të lartë, sikundër janë tragetet. Goga sqaroi se gjiri i Vlorës këto ditë është përfshirë nga një stuhi detare. Dallgët kanë qenë 6-7 ballë në gji dhe 8 ballë në det të hapur, çka ka shkaktuar probleme serioze ditët e fundit në Portin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›