E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panetta mbron CIA-n

Drejtori i CIA-s, Leon Panetta, ka mbrojtur dje agjencinë e tij nga kritikat, pas sulmit vetëvrasës në Afganistan, si pasojë e të cilit u vranë shtatë agjentë të CIA-s.

“Si agjenci, ne kemi gjetur ngushëllim në fuqinë dhe heroizmin e kolegëve tonë të rënë dhe familjeve të tyre”, shkroi Panetta, në editorialin e publikuar në gazetën Washington Post.

“Megjithatë, nuk kemi gjetur ngushëllim në komentet publike, të cilat sugjerojnë se ata të cilët kanë dhënë jetën, janë disi vetë fajtorë për këtë, për shkak të vlerësimeve të gabuara”, shtoi ai.

Panetta theksoi se këto kritika janë ngjashëm sikur të sugjerohej se marinsat amerikanë, të cilët vriten gjatë një përleshjeje të armatosur janë vetë fajtorë për këtë, ngase nuk janë të aftë për të luftuar.

“Kurrë nuk është lehtë dhe askush nuk ka injoruar rreziqet. Individi në fjalë ishte paraparë të kontrollohej nga zyrtarët tonë për siguri, të cilët ishin afër personelit tonë të inteligjencës, në momentin kur sulmuesi hodhi veten në ajër”, tha Panetta.

Sulmi u ndërmor nga një mjek nga Jordania, i cili ishte agjent i trefishtë, në bazën ushtarake amerikane në provincën Khost në Afganistan, më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›