E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon skema e sigurimeve, rriten me 45 % kontributet vullnetare

komisioni-i-ekonomiseTashmë më ndryshimet e reja në ligjin, të vetëpunësuarit do të paguajnë më shumë kontribut për sigurimin shëndetësor të tyre. Norma e re e kontributit pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2014.
Ndryshimet në ligj
Ndryshimet në ligjin për “Sigurimin shëndetësor”, janë diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë dhe parashikojnë një rritje prej 45 % të këtij kontributi, afro 600 lekë më shumë. Ky propozim është bërë shkak për një debat të fortë mes deputetëve të majtë dhe të djathtë në Komisionin e Ekonomisë. Të majtët akuzuan se aktualisht shërbimi shëndetësor është i rënduar, pasi të sëmurët paguajnë me lekë në dorë për të marrë ndihmë mjekësore ose i blejnë vetë medikamentet.
Kontributi i ri
“Aktualisht baza e llogaritjes është 7 % e pagës minimale. Pra, 7 % e pagës minimale që është 18 295, aktualisht kontributi është 1280 lekë. Me ndryshimin që është rritur nga 3.4 % në 7 % norma e kontributeve vullnetare, paralelisht ka ndryshuar dhe baza e llogaritjes jo mbi pagën minimale por mbi mesataren e pagës maksimale me minimalen, diferencat që mund të jenë në 6 mijë lekë në vlera absolute në përqindje është i lartë. Për këtë arsye kjo propozohet 45 %”, deklaroi Arjana Dyrmishi përfaqësuese e Ministrisë së Financave. Ky ligj hyn në fuqi në janar të vitit 2014. Sipas deputetëve të djathtë, kjo rritje do të garantojë të vetëpunësuarit në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Opozita
Ndërkohë opozita e ka cilësuar vendimin e qeverisë për të ndryshuar ligjin në mes të vitit si një veprim elektoral. “Një nga arsyet e BB meqë është dhe mbledhja vjetore e Fondit Monetar, ju bëri të qartë se ndryshimi i legjislacionit që bëni ju gjatë vitit, shkatërron ambientin e biznesit, shkatërron ekonominë e vendit. Kjo nuk është një pengesë se u paska munguar asistenca e Bankës Botërore, kjo është një ndërhyrje imediate tani për të krijuar idenë se me ju është bollëku. Po i shtyjmë të gjithë detyrimet për më vonë dhe pastaj takohemi në 2014-ën. Nëse nuk ka krijuar probleme dhe emergjencë, ta sjelli kur të sjellë buxhetin e vitit 2014. Kështu ndryshimi në thelb është elektoral”, deklaroi deputeti socialist, Arben Malaj. Nga ana e tyre drejtuesit e ISKSH-së bënë të ditur se skema e sigurimeve nuk ka deficit. Kjo skemë, sipas tyre, në vitin 2005 kishte një deficit 10 milionë dollarë, ndërsa aktualisht kjo skemë ka një financim prej 3.5 miliardë lekë.

Skanimi në dogana
Paralelisht me ligjin për sigurimin shëndetësor Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe një kontratë që i jep koncesionin e skanimit në dogana një kompanie private amerikane kundrejt tarifes se përcaktuar prej 39 eurosh, që do të paguhet nga tregtarët. Marrëveshja që i jep kompanisë 12 milionë euro në vit ka një afat prej 15 vjet që në total e çon koston e këtij shërbimi që do paguhet nga tregtarët në 180 milionë euro.

45 %
është parashikuar të rritet norma e kontributit shëndetësor për të vetëpunësuarit, ose thënë ndryshe 600 lekë më shumë se sa është aktualisht

7 %
është norma e re e kontributeve vullnetare nga 3.4 % që ishte më herët. Paralelisht ka ndryshuar edhe baza e llogaritjes jo mbi pagën minimale por mbi mesataren e pagës maksimale

1
janar 2014 është data kur pritet të hyjë në fuqi ndryshimi në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›