E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri mendor terror nxënësve me sëpatë, u prezantua si drejtori

sepataKorçë/Në ambientet e shkollës 9-vjeçare Nuçi Naçi në Korçë, brenda një klase me nxënës 12-vjeçarë është parandaluar një tragjedi e vërtetë. Një i moshuar 71-vjeçar, i sëmurë mendor dhe në gjendje të dehur, ka hyrë me forcë në ambientet e shkollës dje rreth orës 12:10, duke u hequr si drejtor i shkollës dhe në dorë mbante një sëpatë. Teksa u ka kërkuar fëmijëve të klasës së gjashtë që të uleshin të gjithë, një prej tyre, A. T., ka qëndruar në këmbë. Në pak sekonda i moshuari i ka fluturuar sëpatën, që për fat të mirë është ngulur në mur. Terrori tek fëmijët ka qenë shokues, pasi të miturit kanë nisur të bërtasin dhe kërkojnë ndihmë. Brenda pak minutash drejtoria njoftoi policinë që e kapi të dyshuarin Përparim Beqiraj, me origjinë nga fshati Pirg dhe banues në lagjen nr. 5 të qytetit të Korçës. Menjëherë ai u izolua në paraburgim, ndërsa u kryen hetime duke marrë në pyetje të gjithë fëmijët. Fillimisht u deklarua se procesi mësimor kishte përfunduar, por më tej u bë me dije zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur gjatë orës së katërt të mësimit. Policia nuk konfirmoi që i moshuari të kishte qëlluar me sëpatë, por pranoi se ai mbante armën e ftohtë në dorë duke kërcënuar nxënësit në klasë dhe se ishte i dehur dhe në depresion nervor. Përparim Beqiraj, ka tentuar të prezantohet sikur është drejtori i shkollës në një klasë, pa ndonjë shkak, dhe ka tentuar të kanosë nxënësit me jetë. Menjëherë është arrestuar në flagrancë për veprat penale kanosje dhe armëmbajtje pa leje, tha policia vendore. Por vetë fëmijët thanë pas përfundimit të mësimit, se 71-vjeçari që njihej si person agresiv, i sëmurë mendor dhe konsumues i alkoolit, ka hyrë në shkollë me forcë dhe ka mbërritur në klasën e gjashtë. Aty, pa prezencën e mësuesve dhe në mënyrë të fshehtë, ai u ka thënë fëmijëve që të uleshin të gjithë dhe të mbanin qetësi. Është hequr si mësues dhe drejtor shkolle, teksa në dorë mbante sëpatën me të cilën i kërcënonte. Por një prej vogëlushëve, vetëm 12 vjeç, ka qëndruar i hutuar në këmbë dhe i moshuari nuk ia ka përtuar duke i vërtitur sëpatën. Fëmija është shmangur dhe arma e ftohtë u përplas në mur. Shkolla dhe policia mohuan që i moshuari të kishte goditur më sëpatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›