E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mposhtet 94:76 në Bjellorusi

Basket meshkuj Kuqezinjtë pësojnë humbjen e dytë në eliminatoret e Europianit

Përfaqësuesja shqiptare e basketbollit të meshkujve vazhdon serinë e humbjeve në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011, në ndeshjet e Divizionit B. Skuadra e drejtuar nga trajneri amerikan, Mark Dikel, është shfaqur e pafuqishme në sfidën e luajtur në Bjellorusi, ndërsa rezultati final ka qenë 94:76 për vendasit. Kjo është humbja e dytë e kuqezinjve, në po kaq ndeshje të luajtura, ndërsa më parë meshkujt e koshit ishin dorëzuar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” (me rezultatin 81:63). Basketbollisti më i mirë për skuadrën shqiptare ka qenë kapiteni Ermal Kuqo. Por, me gjithë forcën dhe kualitetin që ish-lojtari i përfaqësueses turke i ka shtuar skuadrës, Shqipëria ka diferenca të dukshme me kundërshtarët. Kuqo ka realizuar 24 pikë, duke e mbyllur ndeshjen edhe si pikashënuesi më i mirë, ndërsa ka rikuperuar edhe 5 topa nën tabelë dhe ka dhënë 3 asiste. Pas tij nga kuqezinjtë janë paraqitur mirë edhe Vogli (14 pikë) dhe Hysenagolli (12). Për bjellorusët, pikashënuesi më i mirë ka qenë Uljanko me 19 pikë, i cili ndiqej nga Korshuk (12). Për përfaqësuesen tonë, Hysenagolli ka regjistruar 10 topa të rikuperuar nën tabelë. Edhe pse është e vetmja skuadër e Grupit B në Divizionin B që ka luajtur dy ndeshje, Shqipëria renditet në vendin e fundit me po kaq humbje. Sfida e radhës do të luhet më 14 gusht, ku në Tiranë do të vijë Rumania.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›