E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon struktura e ekonomisë shqiptare, BSH: Rritet pesha e industrisë dhe prodhimit

TIRANË- Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ekonomia shqiptare mbështetej tek tregtia, shërbimet dhe ndërtimi, tashmë është industria që po gjeneron rritjen më të madhe ekonomike.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një ndryshim të strukturës së ekonomisë. Ekspertët vlerësojnë se gjatë muajve të parë të këtij viti është rritur pesha në ekonomi e sektorit të industrisë dhe prodhimit, ndërkohë që shërbimet u ngadalësuan ndjeshëm, ndërsa sektori i ndërtimit ka vijuar tkurrjen.

Më konkretisht, gjatë 3 mujorit të parë të vitit, sektori industrial kontribuoi me 1,4% në rritjen vjetore të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Në dinamikën e sektorit të industrisë kanë ndikuar pozitivisht, rritja e kërkesës nga jashtë e reflektuar tek shtimi i eksporteve.

Aktivitetet e lidhura me bujqësinë, gjuetinë, pyjet dhe peshkimin vazhduan të mbështesin rritjen ekonomike vjetore, ndonëse në një masë prej vetëm 0,4%.

Institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore, por edhe ekspertët vendas kanë theksuar domosdoshmërinë e një modeli ekonomik me qëllim garantimin e një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Rritja ekonomike e vendit është ngadalësuar vitet e fundit. Nga rreth 6% që ishte para vitit 2008, në 1,7% vitin e kaluar. Ekspertët vlerësojnë se ekonomia jonë nuk mund të zhvillohet më në mënyrë spontane, veçanërisht pas krizës ekonomike që goditi Europën, të cilën Shqipëria e ka partnerin kryesor tregtar dhe ekonomik.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›