E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2 shkolla, ambulantët shisnin paisje të infektuara

Shitësit ambulantë pranë shkollave tregtojnë produkte të rrezikshme.Ndonëse ka një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2009, sërish nëpër Tiranë qarkullojnë lodra të cilat kanë lëndë kancerogjene. Dy ishin shkollat pranë të cilave u gjetën produkte të ndaluara për tregtim. Këto ishin shkolla Emin Duraku dhe Pjetër Budi, thuhet raportin e fundit të Inspektoratit Qendror Teknik. Në të theksohet se shitësve ambulantë u është kërkuar menjëherë heqja nga tregu e tyre. Bëhet fjalë për një lodër drite në formë iriqi, e cila është raportuar nga strukturat e BE-së për rrezikshmërinë e tij, pasi merr flakë shpejt dhe ka përmbajtje të lartë të lëndëve kancerogjene. Po kështu, në këto shkolla u gjet një produkt në formë spray me esenca të ndryshme dhe i ambalazhuar në shishe plastike. Ai nuk shoqërohej me shpjegimet e duhura për përdorimin, nuk kishte shpjegim të qartë për ambalazhin, as përmbajtjen e tij. Edhe ky produkt ishte tërësisht sintetik, thuhet në raportin e Inspektoratit Qendror Teknik. Në shkolla situata është përmirësuar, si rezultat i kontrolleve të herëpashershme dhe udhëzimeve të dhëna për rrezikshmërinë e produkteve të pakontrolluara. Por, gjithsesi, ato janë të ekspozuara nga ky risk, kanë theksuar specialistët e Inspektoratit Qendror. Ata u bëjnë apel nxënësve por edhe prindërve e mësuesve të bëjnë kujdes, pasi jo vetëm ushqimet por edhe mallra të tjera që përdoren për të luajtur, mund të shkaktojnë probleme madhore në shëndetin e fëmijëve. Në total, janë kontrolluar 16 shkolla, prej të cilave 14 dolën përgjithësisht në rregull, sa u përket lodrave, ndërsa në dy prej tyre u gjetën produktet e rrezikshme, sqarojnë specialistët.

2 tregje problematike janë kontrolluar në Tiranë, ku ka rezultuar se tregtohen lodra me rrezik për fëmijët. Bëhet fjalë për tregun Çam dhe atë tek medreseja.

16 shkolla
janë kontrolluar në Tiranë për shitje të lodrave nga ambulantët dy prej tyre u gjetën produktet e rrezikshme”, sqarojnë specialistët.

Alarmi i BE

Bashkimi Evropian ka ngritur alarmin për rrezikshmërinë e lodrave që vijnë nga kina. Qendra Shqiptare për Tregtine Ndërkombetare pohon se në vitin 2006, Kina zuri vendin e katërt për marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, duke u renditur pas Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Kjo rritje jashtëzakonisht e shpejtë, sipas ekspertëve,  ka në baze të saj çmimet e ulta, por edhe lidhjet direkte të tregtareve shqiptarë me fabrikat prodhuese në Kinë.

Gjobat

Përveç sekuestrimeve, nga ana e inspektorëve të IQT-së  vendosen gjoba, vlera e të cilave varion nga 200 mijë në 600 mijë lekë. Po ashtu, subjektet do të gjobiten me 200 mijë lekë në rast së ata nuk pranojnë tu paraqesin inspektorëve dokumentacionin e nevojshëm për verifikim. Kontrollet parashikohet të kryhen për të gjitha kategoritë e këtyre produkteve, ku në mjaft raste do të rishikohet përqasja e kontrollit.

Sensibilizimi

Lëndët e lodrave me materiale plastike apo pelushi mund të jenë toksike, madje shumë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, por prindërit, edukatorët nuk janë të informuar. Sipas drejtueses ekzekutive të Lëvizjes së Gruas për Zhvillim Integral (LGZHI), Evis Qaja, në kuadër të projektit Produktet dhe Siguria Kimike në Ballkan, po zhvillohen aktivitete sensibilizuese me të rinjtë e Tiranës, nxënës të shkollave, edukatore të kopshteve, prindër dhe mjeke pediatre. Janë duke qarkulluar pikërisht të tilla lodra të dëmshme e të rrezikshme, të cilat mund të kenë pasoja të rënda për fëmijët. Por, një rol shumë të rëndësishëm luan dhe konsumatori (prindërit, gjyshërit, edukatorët) në zgjedhjen e këtyre lodrave, tha Qaja.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›