Enver Hoxha, interes për ekzekutimin e kolonjarëve dhe fjalët e tyre të fundit
Sot duket e çuditshme se si kreu më i lartë i një shteti të interesohet personalisht për dënimin e ca të akuzuarve në një krahinë të Shqipërisë.Bëhej fjalë për Kolonjën, ku, me vendosjen e diktaturës komuniste, u dënuan dhjetëra nacionalistë me pushkatim apo burgosje. Dhe ishte vetë Enver Hoxha, që jo vetëm firmoste, por ishte i interesuar që ekzekutimi të shkonte deri në fund. Madje ishte i interesuar edhe për fjalët e fundit që do të thoshin para togës së pushkatimit. Të gjitha këto fakte rrëqethëse vijnë përmes librit Qëndresë dhe krenari të autorëve petrit Zeneli dhe Teki Iljazi,

Faksimile e Radiogramës dërguar Këshillit Gjyqësor Ushtarak të Kolonjës nga Enver Hoxha
promovuar dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar me rastin e 65-vjetorit të dënimit të dhjetëra kolonjarëve të pafajshëm në gjyqet e viteve 45-46. Në ceremoni merrnin pjesë familjarë e dëshmitarë të kohës. Qëndresë dhe krenari është një libër i pasur me materiale arkivore të nxjerra nga arkiva e Ministrisë së Brendshme, apo nga Arkivi Qendror i Shtetit. Por nuk bëhet fjalë vetëm për dokumente të ftohta. Autorët janë kujdesur të japin anën më njerëzore dhe të dhimbshme të këtyre ngjarjeve. Janë vetë të mbijetuarit e burgjeve komuniste, apo familjarët e tyre, që tregojnë pjesë nga tragjedia e madhe, që i gjithë populli shqiptar përjetoi për një periudhë 45-vjeçare. Libri ka për objekt studimi kryesisht, periudhën pas ardhjes sëkomunizmit në fuqi (vitet45-90), flet për dhunën dhe ashpërsinë me të cilën diktatura komuniste e sapoinstaluar goditi në Kolonjë kundërshtarët e vet politikë. Libri evidenton nëpërkëmbjen e familjeve nacionaliste kolonjare, të cilat patën kontribuar aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, por që u anatemuan vetëm pse morën pjesë me Ballin Kombëtar gjatë luftës, i cili kishte si program idealet e rilindasve tanë. Materiali i parashtruar në këtë botim i ngjan më tepër një drame tronditëse njerëzore, e cila përjetohet me dhimbje nga cilido që e lexon me vëmendje. Çka thuhet aty është me vlerë për të gjithë, por më shumë do të ngjallë interes te ajo kategori njerëzish, të cilët, edhe pa qenë të kompromentuar nga komunizmi, nuk e pësuan aq keq prej tij e, për pasojë, nuk e dinë se çfarë ndodhi në Shqipëri për 50 vjet komunizëm. Studiues të historisë gjithashtu do të gjejnë fakte e dokumente që nuk janë përmendur deri më sot, siç është rasti i gjyqeve të viteve 1945-1946 në Kolonjë etj., thotë historiani Petrit Zeneli. Ai shton se për etikë nuk janë përmendur emra të përveçëm dëshmitarësh, apo ekzekutorësh, ndonëse ata janë të pranishëm në faksimilet e dokumenteve arkivore që shoqërojnë librin.
Burgosjet dhe gjyqet politike në Kolonjë 45-46
Sipas autorëve të librit, për shkak të së kaluarës patriotike, Kolonja e përjetoi ndoshta më rëndë se kushdo tjetër persekutimin komunist. Gjyqe të sajuara të pas luftës, burgime dhe internime të shumta. Regjimi i Hoxhës i trembej Kolonjës dhe kolonjarëve trima e rebelë. Bilanci i përgjakshëm i dhjetëra kolonjarëve të pushkatuar me gjyq e pa gjyq, i njëqind e ca të burgosurve politikë dhe 66 familjeve të internuara në atë trevë, e provon më së miri këtë fakt. Për të vërtetuar këtë, autorët e librit vënë në dispozicion një numër të madh dokumentesh arkivore. Një ndër to është Akt-gjykimi i Këshillit Gjyqësor Ushtarak, Kolonjë (vend Nr. 3) 18 korrik 1945. A.M.P.B. Në këtë dokument, i cili mban mbi krye parullën Vdekje Fashizmit-Liri e Popullit, dëshmohet akt-gjykimi i 14 kolonjarëve. Mosha e tyre është nga 16 në 60 vjeç. Shumë janë bujq, por ka mes tyre edhe ndonjë pronar, apo student. Sipas këtij dokumenti, ata akuzoheshin si kriminelë lufte dhe armiq të popullit, sipas neneve 14 dhe 15 të Ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake, sepse gjatë okupacionit armik italo-gjerman dhe zhvillimit e vazhdimit të Luftës Nacional-Çlirimtare, kanë qëndruar deri në fund me Ballin Kombëtar…
Trupi gjykues i Këshillit Gjyqësor Ushtarak i Kolonjës, me kryetar Idriz Seiti: Tue marrë parasysh se nga procesverbalet e Komisionit hetues, nga deklaratat dhe denoncimet e paraqitura nga persona të ndryshëm, nga dokumentet, shkresat dhe letrat që u lidhën dosjeve relative, nga pohimet e të pandehurve, për pjesëmarrjen e tyre në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, nga pohimet indirekte ose të tërthorta të të pandehurve, si dhe nga dëshmia e kjartë e dëshmitarëve të akuzës, të ndëgjuar me betim para gjyqit dhe përgjithësisht nga gjithë rrjedhimi i gjykimit, u provua plotësisht dhe në mënyrë bindëse, se janë fajtorë… për këto arsye, trupi Gjykues me vota të përbashkëta tue pranue mendimin e Prokurorit të Popullit… dënon: Xhafer Ibrahim Butkën, Muharem Isuf Selenicën, Ali Ramazan Blushin, Dajlan Iljaz Radovickën, Lije Riza Gostivishtin, Sefer Tajar Gostivishtin, Xhelal Qenam Vishanjin, Estref Taullah Shkurtin, Mehdi Alush Bejkovën- me vdekje; Ali Zylfo Agalliu 101 vjet burgim, Skënder Ali Blushin me 15 vjet burgim, Zalo Ali Fama, Ramo Nasip Bome, Hysen Fehim Novosela, ndëshkohen secili me nga 5 vjet burgim…
E njëjta procedurë ndiqet edhe në 22 shtator të vitit 1945. Me të njëjtën akuzë janë 8 kolonjarë të tjerë ( Fejzulla Haki Doko, Medi Bektash Mbreshtani, Zehni Selfo Jakupi, Avdyl Hysen Myrtesa, Faik Vesel Bako, Seit Islam Dosti, Zalo Rustem Dalipi, Syrja Zalo Dalipi), që dënohen me vdekje dhe dy të tjerë me dënim të përjetshëm (Jakup Vesel Bako dhe Qemal Bektash Hyseni). Është interesant fakti që Komandanti i Përgjithshëm i UKSH, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, në një radiogram të datës 21.9.1945 aprovon ndëshkimin me vdekje të personave të mësipërm dhe njëkohësisht kërkon të njoftohet për datën e ekzekutimit dhe fjalën e tyre të fundit. Autorët e librit ofrojnë edhe faksimilet përkatëse, ku shquhet qartë firma e Enver Hoxhës. Po sipas dokumenteve të ofruara, mësohet se të dënuarit me vdekje u ekzekutuan në mbrëmjen e darës 2 tetor 1945, prej forcave të Kompanisë III të Mb. Popullit të N/Prefekturës së Kolonjës dhe më poshtë vijon me fjalët e fundit të secilit prej tyre. Dikush deklarohej i pafajshëm, një tjetër se e kish përzier dikush tjetër apo i ati, dikush linte amanet fëmijët, kishte ndonjë që të fundit fjalë thoshte Rroftë Shqipëri e flamuri, apo Smë vjen keq që vritem për ide (Zalo Rustemi). E ky radiogram i shkonte direkt shokut Enver.
Komiteti Shqiptar Kolonja, një sajesë e Sigurimit të Shtetit
Bazuar në të dhënat kontradiktore të dokumenteve të kohës si dhe dëshmive të lëna nga disa ish-të përndjekur politikë kolonjarë, të mbijetuar deri vonë, del qartë se nuk ka ekzistuar fare një Komitet Shqiptar Kolonja për të përmbysur demek pushtetin e atëhershëm me dhunë. Akuzat e ngritura nga regjimi komunist u bënë për të përligjur goditjet e planifikuara qysh më parë ndaj tyre. Po ashtu, në aktet dhe vendimet e gjyqeve të asaj kohe, vihen re se përdoren tre terma në të njëjtën kohë, herë Komiteti Shqiptar Kolonja, herë Komiteti Krahinor Kolonja dhe herë Bashkimi Shqiptar. Kjo tregon qartë sa false ka qenë akuza. Megjithatë, edhe në to kishte një të vërtetë: Kolonjarët e dënuar nga këto gjyqe nuk ishin dakord me regjimin komunist. Ata brenda rrethit të tyre, ku hapur, ku fshehur, në kafene a në shtëpi, e patën shprehur merakun se si do ti vinte filli Shqipërisë. Shqetësimin që ata patën shprehur gjatë luftës se mos vinte komunizmi në S