Në 2010-n, provim mjekëve për të mbrojtur vendin e punës
Për të mbrojtur vendin e punës, të gjithë punonjësit e shëndetësisë do t’u nënshtrohen testimeve që vërtetojnë aftësinë profesionale. Kjo do të bëhet përmes certifikimit që do të nisë janarin e vitit të ardhshëm. Të parët do të jenë mjekët, stomatologët dhe farmacistët dhe më pas do të vazhdohet në nivele të tjera. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje gjatë diskutimit të draft-dokumentit në tryezë të rrumbullakët tha se certifikimi i profesionistëve të shëndetësisë është një domosdoshmëri.
Kriteret
“Na duhen mjekë, stomatologë, farmacistë që bëjnë mirë punën e tyre. Mendoj se spitalet tona do të ishin shumë të varfra nëse nuk kanë njerëz të trajnuar profesionalisht, ndaj certifikimi i profesionistëve në fushën e shëndetësisë nuk shihet më si një çështje fakultative, por si një detyrim moral profesional tashmë dhe shtetëror”, - ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një tryeze të rrumbullakët ku u diskutua draft-dokumenti rregullator për certifikimin e profesionistëve të shëndetësisë.
Certifikimi do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm dhe pritet të përfshijë sistemin shëndetësor në të gjitha nivelet. Të parët do të jenë mjekët, stomatologët dhe farmacistët dhe më pas do të vazhdohet në nivele të tjera. Ky proces do të kryhet nga Bordi Kombëtar i Akreditimit dhe Certifikimit që do të kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të jetë ky bord që do të vendosë për procedurat dhe sanksionet.
Ky certifikim do të zgjasë në cikle 5-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, një mjek, farmaciste apo dentist duhet të grumbullojë 150 kredite. Këto kredite do të vlerësohen në bazë të punime shkencore, literaturës, workshop-eve brenda dhe jashtë vendit. Në rast të mosplotësimit të këtyre kritereve, punonjësi do t’u nënshtrohet dy provimeve dhe në rast moskualifikimi do të përballet me sanksionet që mund të shkojnë deri në heqje të drejtës për ushtrimin e profesionit.
“Vetëm kështu do të arrijmë të njohim nivelin e punonjësve të sistemit shëndetësor do të eliminonim ngjarjet si pasojë e profesionit. Kohët e fundit kemi verifikuar jo pak raste të një praktike të keqe”, - tha ministri Vasili.
Puna
Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore është i lidhur ngushtë me zhvillimin e burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë dhe përfaqëson një nga sfidat më të rëndësishme të reformës së sistemit shëndetësor shqiptar. Draft-dokumenti rregullator është hartuar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në vazhdim në bashkëpunim me partnerë të huaj. Deri tani drafti rregullator është diskutuar në nivel të lartë ekspertësh. Procedurat e para pritet të nisin në janar. Gjithashtu, dje në u hodh ideja e krijimit të një regjistri elektronik kombëtar për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor.
Mediu - D’Elia
Forcim të bashkëpunimit në fushën mjedisore
Italia dhe Shqipëria do të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në sektorë të ndryshëm të fushës së mjedisit, me qëllim përafrimin e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Evropian.
“Ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia, shprehu të martën gatishmërinë e vendit të tij për forcimin e këtij bashkëpunimi, gjatë një takimi me ministrin e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu”, - bëri të ditur zyra e shtypit e MMPAU-së.
Sipas njoftimit për shtyp, në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin aktual mes dy vendeve. Ambasadori D’Elia vuri theksin tek ndihma e vendit të tij në investime në sektorë të ndryshëm, si një shtysë e domosdoshme për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë takimit, u diskutua edhe për hedhjen e hapave konkretë në sektorët prioritarë, për të përmirësuar hapësirat e mundshme.
Aktualisht, MMPAU ka marrëdhënie institucionale me Ministrinë e Mjedisit, Tokës dhe Detit të Republikës së Italisë, që konsiston në hartimin dhe zhvillimin e programeve, iniciativave, projekteve të përbashkëta për mbrojtjen, parandalimin dhe reduktimin e ndotjes se mjedisit, si dhe promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm.
Pikë tjetër e marrëdhënies dypalëshe është ajo e identifikimit të projekteve të përbashkëta pilote për t’u zbatuar në Shqipëri, sipas kërkesave të Protokollit të Kiotos, për gjenerimin e krediteve të karbonit, ndryshe të Reduktimeve të Certifikuara të Shkarkimeve (RÇSH-ve) në këmbim të investimeve që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
OBSH
Vaksina kundër A/H1N1, e sigurt
Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu dje besimin në vaksinën kundër gripit H1N1, duke e konsideruar si mjetin më të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë globale.
“Efekte të lehta anësore, si dhimbje muskujsh ose dhimbje koke, pritet të shfaqen në disa raste, por kushdo që ka mundësi duhet të vaksinohet”, - thuhet në deklaratën e OBSH-së. “Fushatat e vaksinimit në masë kundër gripit H1N1 kanë nisur në Kinë dhe Australi dhe do të nisin së shpejti në Shtetet e Bashkuara dhe disa vende në Evropë”, - deklaroi zëdhënësi i OBSH-së, Gregory Hartl. "Është e rëndësishme të kujtojmë se vaksinat, që tashmë janë aprovuar, janë përdorur për vite e vite me radhë gjatë vaksinimit sezonal dhe kanë treguar se janë vaksinat më të sigurta që ekzistojnë", - deklaroi ai gjatë një konference për shtyp. Agjencia e Kombeve të Bashkuara shpalli virusin e ri H1N1 pandemi botërore në qershor dhe laboratorët e saj kanë vënë në dispozicion kampionë të virusit për kompanitë farmaceutike në mënyrë që të prodhohet vaksina imunitare. Kompania "GlaxoSmithKline" ka marrë porosi për vaksinën kundër H1N1 nga 22 vende me një numër dozash gjithsej 440 milionë, që kushtojnë rreth 3.5 miliardë dollarë. Kompani të tjera që po prodhojnë vaksinën, janë "Sanofi-Aventis", "Novartis", "Baxter", “AstraZeneca” dhe “CSL”.