E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur poeti largohet nga jeta



Ashtu siç jetoi, pa zhurmën dhe bujën mediatike, poeti dhe përkthyesi i talentuar, Dhori Qiriazi, i cilësuar si “pinjoll” i krishterimit, është ndarë nga jeta të shtunën në mbrëmje. Asnjë përcjellje zyrtare për këtë kontribuues të gjuhës dhe padituri e elitës së shkrimtarëve, që zbulon çarjen e madhe të marrëdhënieve mes letërsisë dhe njeriut. Asnjë shoqatë letrare, asnjë aktivitet letrar i çdo vitshëm, asnjë klub letrar dhe asnjë shkrimtar përveç përkthyeses Meri Lalaj nuk është kujtuar të shkruajë për të. Le të shërbejë teksti i mëposhtëm si homazh për njeriun e heshtur dhe lartësi për kontributin e shkrimtarit

Sot u futa në Bibliotekën Kombëtare, u ngjita lart tek salla e leximit e mbushur plot me dritë dielli, e me një vështrim të vetëm rroka tryezën tek rrinte e studionte përherë poeti Dhori Qiriazi. U çudita kur atje pashë dy tufa me lule të freskëta. Aty takova Petraq Riston dhe Pandeli Koçin, që më thanë se Dhori ka ndërruar jetë e është varrosur të shtunën. Më erdhi shumë e papritur sepse nuk e dija se ai ishte i sëmurë. Asnjë lajmërim në gazetë apo televizion. Asnjë për be. Nuk ka një shoqatë apo lidhje a klub që të marrim vesh për njëri tjetrin e të bëjmë nderimet e duhura. Ai është poet, përkthyes e studiues e nuk është një njeri dokudo. Kështu ndodhi me Piro Kuqin, Agim Pepën, Kudret Velçën...

Ndërsa ne ishim gjimnazistë mezi prisnim ditët, kur do të dilte gazeta “Zëri i Rinisë” me faqen e saj letrare, e aty dallonin poetët: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Dhori Qiriazi... Mbaj mend kur isha nxënëse një takim me poetë e zyrtarë tek Shtëpia e vjetër e Kulturës në Pogradec kishte ardhur edhe Dhori Qiriazi, por Lasgushi recitoi “Norma” vjershë që mbaron me fjalët: “Norma është ajo gjë që duhet tejkaluar”. Dhori mbeti gjithë jetën mësues në gjimnazin e Ersekës, sepse i ati i tij pat mërguar në Australi, madje e pësoi më keq pas Plenumit të Katërt kur e degdisën mësues në fshatin Mollas. Profesori im i matematikës në gjimnaz, Petro Prifti, shok me Dhori Qiriazin kur ishin studentë, më dha një ditë një vëllim dorëshkrim me poezi që titullohej “Të fala botës”. Ai dorëshkrim ishte paraqitur në një konkurs letrar, më duket për çlirimin e Atdheut, e Dhori nuk fitoi. Nga ai libër i pabotuar mësova disa poezi përmendësh sepse ishin shumë të bukura (që i di edhe sot e kësaj dite si për shembull “Zemra”, “Ecja në muzg më shoqëronin drurët”, “Jo, nuk e desha një dashuri të verbër” e të tjera nga libri me poezi “Kur zemra rreh së pari”). E kam ndjekur krijimtarinë e Dhorit edhe si përkthyes krijues në përkthimet nga gjuha ruse me Nekrasovin, Petrarkën nga gjuha italiane, nga gjuha angleze poetët e tij më të dashur Bajronin e Bërnsin si edhe së fundi poetin persian Masnavi Manavi Rumiu. Ndërsa përkthente këtë të fundit, poet nga Irani siç më pat thënë, ndihej tepër entuziast, ai u interesua dhe i lexoi poezitë të transkriptuara për të dëgjuar tingëllimin e fjalëve, për të bërë krahasimin me gjuhën shqipe e për të gjetur aty fjalë të njëjta të të dyja gjuhëve. E Dhori Qiriazi gjithë jetën mbeti njeri i thjeshtë, i qetë, pa bujë...

Më kujtohet se në vitin 1984 ndodheshim në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, darkën e fundit festive na qëlloi të uleshim tok me Dhorin në të njëjtën tryezë. U ngritëm për të kërcyer e në një çast duke kujtuar krijimtarinë e tij të hershme unë fillova t’i them përmendësh poezitë e vëllimit të tij të dikurshëm. Ai mbeti shumë i habitur, ndaluam më këmbë aty në mes të sallës e ai më tha: “Po unë e kam grisur këtë dorëshkrim, nuk i kam më këto poezi. Të lutem, a mund të m’i shkruash e të m’i dërgosh?” E unë sapo u ktheva në shtëpi u ula në makinën e shkrimit, i shtypa dhe ia dërgova. Dhori më dërgoi një letër falënderimi.

Gjithnjë kam menduar se poetët nuk janë qenie tokësore, por qiellore, e tani Dhori, shpirti i poetit u ngjit lart në qiell duke zënë vendin që i takon.

Pinjolli dinjitoz i Qiriazëve

Dhori Qiriazi shkroi lirika nga më të ndjerat e letërsisë së kësaj kohe. Kam parasysh librat e tij “Balada intime”, “Pishat me kristale”, “Vitet”; shkroi madje edhe fabula. Peizazhi është një nga zhanret më të pëlqyer të Qiriazit në poezi, nëse e vështrojmë këtë të fundit si sfidën e tij më të preferuar. Dhori Qiriazi kishte lindur në vitin 1933, në Lëngëzë të Kolonjës. Mbaroi studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në vitin 1958, për gjuhë-letërsi dhe histori. Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës dhe së fundi në gjimnazin e qytetit të Ersekës. Dhori Qiriazi mban titullin "Mësues i Popullit". Nga viti 2003, është anëtar i përjetshëm i Klubit "Bërns" (Irvine Burns Club) në qytetin Irvine në Skoci. Në portalin e njohur “Shtëpia e Librit”, duke prezantuar një nga librat e tij të fundit, “Baladat intime”, autorët e kolonës për librat shkruajnë: “Në kërkimet e veta krijuese, Dhori Qiriazi nuk disponon vrapin e galopit befasues në të pushtuarit dhe në të përvetësuarit e shtresave dhe hapësirave të reja shprehëse. Megjithatë, ai arrin të jetë gjithnjë i sinqertë në kërkimet e veta”. Ndërkohë, Dhori Qiriazi ka përkthyer vepra të një sërë autorëve të njohur, si Xhorxh Bajron, Xh. Rumiu, Xh. Kits, S. Kuazimodo, R. Bërns, etj. Ai është marrë gjithashtu me kërkime dhe botime për folklorin e Kolonjës dhe Leskovikut etj. Në vitin 2000 me librin “Krishterimi në Shqipëri”, Dhori Qiriazi vlerësohet si “pinjoll” i krishterimit, duke dhënë kontribut shpirtëror, atë të besimit të krishterë, një lloj identiteti i munguar si lëndë fetare, pse kemi besim apostolik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›