E Hënë, 2 Nëntor 2026

NE kontroll në shtëpi familjeve përfituese

07/10/2009  Reformimi i skemës së ndihmës ekonomike përveç punës së detyruar edhe masa të forta ndëshkuese

Ministri i Punës mbledh drejtorët e zyrave rajonale të shërbimit social të rretheve

Kontroll në terren një e nga një për të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Urdhri u është transmetuar tashme të gjithë krerëve të drejtorive rajonale të shërbimeve sociale nga kreu i Ministrisë së Punës Spiro Ksera, i cili ka kërkuar që inspektimet të mos mjaftohen vetëm me kontrollimin e dosjeve të dokumentacionit për përfituesit pranë njësive vendore. Inspektorët për çdo qark duhet të vëzhgojnë në terren secilën prej familjeve që përfitojnë nëse realisht duhet të jenë pjesë e skemës ose jo.

“Me gjithë përpjekjet e bëra, ende skema nuk është pastruar nga abuzivizmi dhe ende, për fat të keq, ka familje që, edhe pse në varfëri, apo varfëri ekstreme, nuk janë të përfshira në këtë skemë. Drejtoritë rajonale dhe inspektorët e tyre të tregojnë përgjegjshmëri më të madhe në kryerjen e detyrës, bashkëpunim të ngushtë dhe në vazhdimësi me njësitë vendore dhe administratorët për menaxhimin e skemës”, -ka pohuar ministri. Tashmë është hartuar dhe drafti i ri, mbi bazën e të cilit skema e ndihmës ekonomike do të ribëhet nga e para. Ky draft përmban jo vetëm ndryshimet në kategoritë përfituese, të cilat do të zgjerohen, por i jep rëndësi të veçantë kontrollit dhe verifikimit të kritereve përfituese. Përkundrejt kësaj situate është vendosur të merren masa të forta ndëshkuese.

Kontrolli

Ministri kërkoi nga drejtoritë rajonale që të mos mjaftohen vetëm me kontrollin e dokumentacionit të personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, por të inspektojnë gjendjen në terren dhe të verifikojnë konkretisht familjet në nevojë. “Kushtëzimi i ndihmës ekonomike me punë në komunitet duhet të zbatohet në të gjitha njësitë vendore dhe strukturat e zyrave rajonale duhet të ofrojnë mbështetje për hartimin dhe zbatimin projekteve komunitare. Gjatë këtij takimi drejtorët rajonalë raportuan mbi ecurinë e kontrolleve dhe problematikën e hasur në përfshirjen në skemë të familjeve në nevojë, duke u angazhuar se në muajt e fundit të këtij viti do të rritet numri dhe cilësia e kontrolleve. Vetëm për 2009-n pohohet se janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike rreth 97000 familje, numër i cili pritet të reduktohet, duke larguar përfituesit abuzivë.

Fondet

Sipas ministrit, qeveria është e vendosur që të rrisë mbështetjen për shtresat në nevojë dhe që vitin e ardhshëm do të rrisë ndjeshëm fondet për mbështetjen sociale, por kjo nuk është e mjaftueshme për uljen e varfërisë. “Kjo rritje buxheti duhet të shoqërohet dhe do të shoqërohet nga ana juaj me inspektime më të ashpra dhe me masa të menjëhershme për abuzuesit”, - tha ministri Ksera. Gjithashtu ai kërkoi që për çdo rast të evidentuar të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike të zbatohet pa hezitim ligji, që nga ndalimi i pagës së administratorit deri në dërgim për ndjekje penale për personat përgjegjës.

Penalizimet për abuzuesit

Reformimi i skemës së ndihmës ekonomike parashikon gjithashtu sanksione të forta ndaj grupeve që do të shpërndajnë këtë pagesë padrejtësisht, po ashtu edhe për përfituesit. Për këtë kreu i Ministrisë së Punës ka pohuar se masat ndëshkimore nuk do të konsistojnë vetëm në gjobë, por edhe në ndjekje penale. “Për çdo rast të evidentuar të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike të zbatohet pa hezitim ligji, që nga ndalimi i pagës së administratorit deri në dërgim për ndjekje penale për personat përgjegjës”, - ka pohuar ministri. Përveç familjeve do të kontrollohen rreptësisht edhe shpërndarësit vendorë.

Kategoritë e reja përfituese

Përveç kategorive ekzistuese skema do të zgjerohet me përfitues të rinj. Tashmë është hartuar edhe drafti përkatës, që parashikon trajtimin e disa grupeve në nevojë, si fëmijët jetimë që nuk qëndrojnë në institucione e përkujdesit, si dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e trajtimit. Skema do të përfshijë grupet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, pasi prindërit e tyre nuk jetojnë më, rastet kur kanë vetëm njërin nga prindërit, por ky është i dënuar për vepra penale, si dhe rastet kur prindërve u mohet e drejta prindërore me vendim gjykate. Përfituese do të jenë edhe familjarët pa të drejtë pensioni.

Lista e familjeve të varfra

Sipas të dhënave të publikuara nga strukturat përgjegjëse, rezulton se qarqet me varfëri më të madhe, të cilat kanë dhe numrin më të madh të familjeve që trajtohen me këtë pagesë, që kapin rreth 82.4 për qind të fondeve, janë Shkodra me 16,4 për qind, Dibra me 13,8 për qind, Kukësi me 12,6 për qind, Tirana me 12 për qind, Elbasani me 11 për qind, Lezha me 8,9 për qind dhe Korça me 7,7 për qind të fondeve në total që akordohen nga Buxheti i Shtetit për programin e trajtimit me këtë lloj pagese. Vetëm qarku i Shkodrës aktualisht trajton në skemën e ndihmës rreth 16000 familje, Dibra rreth 12875 familje, etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›