E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Haxhinasto publikon prioritet ne reformen strukturore e rregullatore

Prioritet madhor i Ministrisë së Ekonomisë vijon të mbetet thithja e investimeve të huaja në vend. Në prezantimin  e referencave të punës së kësaj ministrie, në dinamikën e zhvillimeve intensive që po kalon vendi, kreu i këtij dikasteri Haxhinasto e ka vënë theksin tek investimet e huaja direkte për ta bërë Shqipërinë tregun më atraktiv në rajon.
 “Në bashkëpunim edhe me AIDA-n ne do të prezantojmë një guidë për investimet në Shqipëri që do të japë informacion mbi mënyrën, arsyet dhe vendin ku duhet të investohet por duke identifikuar edhe sektorët në avantazh dhe rajonet që duhet të investohet në mënyrë që ta bëjnë Shqipërinë tregun më atraktiv në rajon”, u shpreh  ministri Haxhinasto.
Për kreun e ri të METE, një tjetër pikë e rëndësishme në punën e ministrisë mbetet reforma rregullatore ku gjatë këtij viti do të përfundojë edhe sistemi i inspektimit, për përmirësimin e klimës së biznesit. 
“Brenda vitit do përfundojmë reformën e inspektimit në Republikës të Shqipërisë, një reformë shumë e e rëndësishme me një impakt të jashtëzakonshëm në përmirësimin e klimës së biznesit. Reduktim i mëtejshëm i burokracisë, duke eleminuar ato institucione jo të nevojshme dhe duke i trajtuar të tjerat nëpërmjet QKL”, vuri në dukje ministri. 
Gjithashtu Haxhinasto ka theksuar se në kontekstin e reformave strukturore prioritet kryesor, janë projektet tashmë të nisura për privatizimin e ndërrmarrjeve shterërore, sic është privatizimi i Albpetrolit, nxitja e investimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe atij minerar, liberalizimi i mëtejshëm i tregut të energjisë dhe përdorimin e një sistemi fiskal nxitës të sektorit energjitik dhe vendosjen e tarifave reale.
“Këtë vit hapa konkretë për të ndihmuar me 10 koncesionepër ndërtimin e hidrocentraleve e parqeve me erë, lehëtësimin e mëtejshëm të procedurave, ofrimi i incentivave për prodhimin, që do të jenë pjesë e një pakete incentivuese që do të përgatisim. Politika mbështetëse për sektorin minerar, prioritet nxitje e investimeve me vlerë të lartë të shtuar, pra jo vetëm në industrinë nxjerrëse, por veçanërisht në atë përpunuese. Projekti TAP, shumë i rëndësishëm, strategjik dhe prioritar për Shqipërinë. Për momentin jemi në fazën e negocimit të marrëveshjes me konsorciumin e TAP dhe për marrëveshjet ndërqeveritare ku kalon ky gazsjellës”, deklaroi Haxhinasto, duke listuar prioritet e kësaj ministrie. 
Për Ministrinë e Ekonomisë rëndësi të veçantë merr liberalizimi i mëtejshëm i ekonomisë, nxitja dhe thellimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë, mbështetja e biznesit të vogël dhe të mesëm si shtylla kurrizorë e ekonomisë ku prioritet mbetet rritja e konkurrueshmërisë së kësaj kategorie. Kjo ministri ka thënë Haxhinasto, do te vijoje te udheheqe politikat ekonomike me synim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit duke inkurajuar prodhimin vendas dhe eksportet, rritjen e konkurrueshmërisë,  me qëllim rritjen e qëndrueshme ekonomike  dhe punësimin e potë të shqiptarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›