TemA TV/ Rama në Belsh: Do shkallmojmë monopolin e duhanit, që u rri si re e zezë mbi kokë (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi në një takim me banorët e Belshit në qarkun e Elbasanit se ata do të shkatërrojnë monopolin e duhanit, që po dëmton banorët e zonës.
Ne jemi të sigurt që me Musain deputet këtu ju keni fituar një fuqi të madhe më shumë. Ne nesër në qeveri do kemi një dhimbje koke më shumë miqtë e mi, sepse jemi të bindur që Musai nuk do të na ndahet për të realizuar të gjitha zotimet e veta këtu në funksion të programit të PS, por edhe për tju mbështetur të gjithëve ju për problemet tuaja, në familje, në biznesin tuaj të vogël, apo atje në fushë. Atje në fushë, ku sot ju rri si një re e zezë mbi kokë, një monopol mbi duhanin. Një monopol që ne do ta shkallmojmë, siç do të shkallmojmë të gjitha monopolet në Shqipëri për ti hapur rrugë konkurrencës së lirë dhe për ti dhënë mundësinë çdo njeriu të zakonshëm që me talentin dhe vullnetin e vet të bëhet sipërmarrës i suksesshëm, pa gjetur përpara muret e monopoleve dhe barrikadat e klientëve të pushtetit.
Ne kemi një program, që është në radhë të parë programi i Rilindjes së fshatit. Sepse ne besojmë që nga rilindja e fshatit, nga rritja e prodhimit të tokës fillon mirëqenia për fshatin, por siguron dhe mirëqenien për qytetin, tha kreu i PS-së.
Kryetari i PS, duke marrë si shembull rrugën e Belshit, tha se kjo qeveri më shumë ka shpenzuar sesa ka ndërtuar rrugë.
Kur po vinim rrugës mu kujtua që kemi ardhur edhe në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet e vitit 2011 dhe kemi folur, pikërisht, këtu në këtë pozicion. Ajo që më ra në sy është që, sot, pas katër vjetësh ka shumë më shumë gropa në këtë rrugë. Ka shumë më shumë zymti në këtë vend ku ka mbetur vetëm shpirti i mirë i njerëzve të mirë, po ku asgjë tjetër përveç rrënimit nuk të zënë sytë. Asnjë ndryshim për mirë! Asgjë që mund të shohësh dhe të thuash qenka bërë kjo në këto katër vite. Rrënim nga të katërt anët! Gropa dhe braktisje! Ky është realiteti. Kjo është, fatkeqësisht, historia e këtyre viteve, ku qeveria thotë kemi bërë rrugë dhe Saliu thotë shikojeni buxhetin sa shumë para kemi shpenzuar për rrugë.
E pra, këtu fillon dhe arsyeja për ta ndëshkuar këtë qeveri, sepse është e vërtetë, kanë shpenzuar shumë më shumë para sesa çtregojnë rrugët e Shqipërisë. Sesa çtregojnë edhe rrugët që kanë filluar ti ndërtojnë dhe i kanë lënë përgjysmë dhe po ju shkatërrohen. Edhe rrugët kanë mbetur rrugëve, përveç popullit që ka mbetur në mes të rrugës dhe që më 23 qershor do ti japi drejtim vetes dhe vendit.
Unë jam shumë krenar që bashkë me Benin dhe me Qazimin kemi ardhur këtu për të folur me ju duke pasur privilegjin e madh që në emër të PS të mbështesim me gjithë zemër një njeri, një mik, një socialist 24 karatësh, por edhe një deputet të përkushtuar ndaj njerëzve dhe për njerëzit, si Musa Ulqinin, bashkë me dy njerëz që i kemi zgjedhur këtu midis jush, si Mediu dhe Altini. Dy njerëz të cilët e plotësojnë më së miri këtë skuadër të vogël të Belshit dhe Dumresë brenda skuadrës së Rilindjes së Elbasanit, që ju siguroj do të jetë kontributore e shkëlqyer e në fitoren e Partisë Socialiste në 23 qershor./ep