E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne Bruksel pa rezolute Prishtine- Beograd bisedimet e para

Kosova dhe Serbia nisin sot bisedimet e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Bisedimet do të zgjasin dy ditë. Raundi i parë i dialogut do të zhvillohet në dy pjesë, të martën pasdite dhe të mërkurën paradite. Takimet do të mbahen në zyrën e këshilltarit të posaçëm të Shërbimit evropian për veprimtari të jashtme të diplomacisë evropiane, Robert Cooper. 

Bisedimet në Bruksel ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe do të fokusohen në çështje të veçanta. Ato, sipas paralajmërimeve jozyrtare, do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, ndërsa çështjet politike do të shmangen. Sipas një zyrtari të lartë të Komisionit Evropian, i cili ka folur në kushte anonimiteti, bisedimet do të fokusohen në tre tema: sundimin e ligjit, lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimin rajonal. Zyrtarët e BE-së thonë se fillimisht do të bisedohet çështja e lëvizjes së lirë, bashkëpunimi rajonal, lëmi i sundimit të ligjit dhe çështjet tjera praktike.

Delegacionin e Prishtinës do ta kryesojë nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanoviq. Ndërsa BE-në do ta përfaqësojë diplomati Rober Cooper, SHBA-të në këto bisedim do t’i përfaqësojë zëvendëssekretari i Shtetit, Thomas Countryman. Paraprakisht Countryman ka deklaruar se "Statusi i Kosovës është një çështje e mbyllur, që mund të diskutohet, por nuk mund të ndryshojë”.

Sipas tij çështja e statusit është e vendosur, dhe pavarësia e Kosovës është realitet. Kryesuesja e ekipit negociator të Kosovës Edita Tahiri shkon në Bruksel me autorizimin e kryeministrit, meqë Kuvendi nuk e diskutoi posaçërisht çështjen e përfaqësuesit të vendit në këto bisedime. Prishtina shpreson që bisedimet të çojnë Beogradin ta njohë pavarësinë e saj, të cilën Serbia e refuzon fuqimisht, ndërkaq Serbia përmes këtyre bisedimeve synon të rikthejë statusin e para pavarësisë, ose të imponojë ndarjen e një pjese të Kosovës.

Delina Bitraku Azhornuar së fundi ( e martë , 08 mars 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›