Në Butrint, me Romeo dhe Zhuljetën
U shfaq dje në mbrëmje në skenën e teatrit të Butrintit në Sarandë muzikali “Romeo dhe Zhuljeta”, të cilin e solli për publikun The National Opereta Theatre “Ion Dacian” e Bukureshtit.
Bazuar në tragjedinë shekspiriane, ky muzikal vjen në skenë me regjinë e Gerard Presgurvic. Shfaqja është dhënë premierë absolute më 19 janar të vitit 2001, në Paris. Pas kësaj ajo është vendosur në skenat e Kanadasë, Londrës, Amsterdamit, Budapestit, Moskës, Vjenës, Seulit, dhe Taipeit, duke u përkthyer në shumë gjuhë të botës, midis të cilave edhe në flemisht, anglisht, hungarisht, rusisht dhe gjermanisht. Në Hungari muzikali është dhënë për herë të parë në vitin 2004 dhe akoma ka mbetur në repertor, duke gëzuar po të njëjtin sukses, me bileta të shitura shumë muaj përpara. Deri tani, shou është parë nga më shumë se 5 milionë spektatorë dhe janë shitur më shumë se 7 milionë kopje të albumeve. Ndërkaq, një natë më parë, me rastin e 200-vjetorit të lindjes dhe shpalljes nga UNESCO si viti i Shopenit, “Nikoli Theatre” nga Krakov i Polonisë, ka performuar nën regjinë e Nikolai Veprev në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. “Nata shopeniane” është një shfaqje e influencuar nga muzika a kompozitorit të madh, Frederic Chopin dhe konsiderohet si një perlë e kulturës europiane. Skena e shekullit të 19 i rishfaqi spektatorit një botë plot shkëlqim nga muzika e Chopin. Kjo botë romantike ndërlidhet me bashkëkohoren, duke treguar një fuqi tepër krijuese, e cila mbetet e gjallë dhe frymëzuese. Kërcimi luan një rol tepër të veçantë në këtë performancë, duke u bërë një pjesë e pandashme dhe integruese me muzikën. Spektakli tregon periudha të ndryshme jete, duke filluar që në momentin e ardhjes në jetë të këtij krijimi të mrekullueshëm dhe duke mbaruar në një udhëtim melankolik. “Nata shopeniane” është një performancë pantonimike dhe ka një koncept personalizues skenik të frymëzuar nga jeta dhe muzika e kompozitorit polak. Kjo shfaqje karakterizohet nga një kostumografi unike dhe skenografi shumëngjyrëshe e plot dritë.