E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet në Zyrih thesari i Kafkës

Trashëgimia Dalin në dritë dorëshkrime e vizatime të panjohura, gjendeshin në një bankë

Një thesar i fshehur, i ruajtur prej dekadash në një bankë në Zyrih, tashmë është nxjerrë në dritë. Dorëshkrime e vizatime të Franc Kafkës janë rikuperuar nga kasafortat e UBS-së së Zyrihut, ku për më shumë se gjysmë shekulli janë depozituar disa nga veprat e autorit të “Procesit”, shkrimtarit të madh çek që ndërroi jetë për shkak të tuberkulozit në vitin 1924 në Austri.

“Hapja e kasafortave, shpjegojnë disa të përditshme ndërkombëtare, është kërkuar prej një gjykate izraelite, për shkak të një mosmarrëveshjeje ku shteti hebraik, më saktë Biblioteka Kombëtare e Jerusalemit, kundërshton dy motra që kanë trashëguar arkivin e botuesit Max Brod, mik i Kafkës. Sipas “Haaretz”, nga kasafortat ka dalë në dritë “një thesar i vërtetë letrar”. Ai përfshin, mes të tjerave, letra të ndryshme dhe dorëshkrimin origjinal të një tregimi të shkurtër shumë të njohur të Kafkës (gazeta nuk saktëson se për cilin bëhet fjalë), të cilin studiuesit nuk kanë pasur asnjëherë mundësi ta studiojnë nga afër. Arkivi i Brod, i cili gjendet në katër kasaforta gjendet në UBS prej vitit 1956. Hapja e kasafortave të Zyrihut pason hapjen e disa kasafortave të mëparshme që gjendeshin në dy banka të Tel Avivit. Objektivi është të njihet përmbajtja e saktë e arkivit. Por nuk do të jetë ende e mundshme njohja e listës së veprave të ruajtura në kasafortat e Zyrihut, sepse motrat Ruth dhe Eva Hoffe, që kanë trashëguar arkivin, i kanë kërkuar drejtësisë izraelite të vendoset heshtja ndaj shtypit sa i përket këtij kontrolli. Kafka i pat kërkuar mikut të tij Max Brod të digjte veprën e tij pas vdekjes, por Brod, i cili emigroi në Tel Aviv në vitin 1939 për t’u arratisur prej nazizmit, i publikoi tekstet. Para se të vdiste ai caktoi si trashëgimtare sekretaren e tij, Ilse Esther Hoffe. Kjo e fundit ia la të gjithë trashëgiminë të bijave. Me vdekjen e nënës, Ruth dhe Eva Hoffe dëshiruan të konfirmonin edhe një herë trashëgiminë e tyre nga autoritetet izraelite. Në Tel Aviv vazhdon një proces nëse trashëgimtaret mund të kenë liri veprimi mbi këtë trashëgimi. Biblioteka Kombëtare e Izraelit në Jerusalem, ka përfituar nga rasti për tentuar “rikuperimin e dorëshkrimeve të Kafkës”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›