E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja te dogana, 47 vjet burg për Qefalinë dhe Byberin

Pretenca

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtor të Bashkim Qefalisë dhe Ylli Byberin për akuzën e vrasjes ndaj shtetasit Artan Allushi me 47 vjet burg. Prokurori kërkoi dënimin me 24 vjet burgim të Bashkim Qefalisë, si dhe 23 vjet burgim për Ylli Byberin. Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 26 korrik të vitit të kaluar, kur kanë vrarë me armë zjarri Artan Allushin, si dhe kanë plagosur Kujtim dhe Nertil Allushin. Sipas akuzës, Qefalia ka pasur një lidhje katërvjeçare me vajzën e Kujtim Allushit. Ditën e ngjarjes Qefalia po udhëtonte nga Kamza në drejtim të “Zogut të Zi”, linjë të cilën e kryente çdo ditë. Te Drejtoria e Doganës, atij i kanë dalë në pritë Kujtim, Nertil dhe Artan Allushi. Ai ka ndaluar makinën e mbushur me pasagjerë për t’u sqaruar me ta dhe ka rënë pre e një dhune me shkopinj bejsbolli. Sipas prokurorisë, në këtë moment ka tentuar të largohet dhe ka marrë një goditje në kokë, duke i shkaktuar një plagë të rëndë. Më pas ka hyrë në makinë dhe poshtë sediljes së shoferit ka marrë një pistoletë “TT”, duke qëlluar jo vetëm sa për të trembur agresorët, por shtatë herë dhe disa prej plumbave kanë zënë mbi kundërshtarët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›