Në Dëshnicë: Dimër në anë të Trebeshinës
Gjithshka është e lagur në luginën e Vjosës. Shkëmbinjtë janë bërë edhe më gri se zakonisht dhe rrjedhin ujë pa fund. Ndonjë bari, që e ka zënë halli të dalë në këtë ditë të ftohtë dhjetori, është shtrënguar fort me mushamanë e tij. Delet e lagura keq, të shpërndara në lëndinat në anë të lumit duket sikur nuk e kanë edhe aq mendjen te kullota se sa te ideja që të kthehen sa më parë në stanet e tyre. Thuajse gjithshka është lyer me një ngjyrë të fortë plumbi. Vetëm kreshta e Trebeshinës vezullon nga e bardha e dëborës që ka rënë këto ditë. Nga Ura e Dragotit deri në Këlcyrë ecim përgjatë Vjosës që është shndërruar në një lumë të kafenjtë e të inatosur. Ku e ku me Vjosën e kaltër dhe të paqtë që jemi mësuar të shohim në dimër.
Në Këlcyrë e bëjmë një ndalesë të shkurtër të usta Ikmet Mino, mik i vjetër. Disa minuta pranë sobës së tij me zjarr dhe një kupë raki na e kthejnë sërish optimizmin. "Ku jeni nisur të vini me këtë qamet more djema?", na pyet Ikmeti dhe bën me kokë nga matanë dritares, andej ku vazhdojnë të rrjedhin disa rrëke të bëshme shiu. Kur mëson se do të udhëtojmë përmes Dëshnicës, atëherë ngrihet dhe thotë: "Më prisni vetëm dy minuta. Do t‘ju shoqërojë një shoku im". Kështu mes sobës, që vazhdon të bubullijë gjithë ngrohtësi, dhe rrëkeve të shiut, që trokasin mbi xham, kemi pak kohë sa tu hedhim një su shënimeve tona. Dëshnica është një krahinë e Përmetit. Ajo shtrihet në të dy anët e Lumit të Dëshnicës, degë e Vjosës. Ka 38 fshatra dhe kufizohet me Tepelenën, Beratin dhe Skraparin. Nga pikëpamja administrative krahina është ndarë mes Bashkisë së Këlcyrës dhe komunave: Dëshnicë, Sukë e Ballaban. Qendra tradicionale e krahinës ka qenë jetë e mot Këlcyra. Dëshnicarët dallohen si mjeshtra të pemtarisë dhe të blegtorisë. Shquhen si punëtorë të mëdhenj, njerëz të urtë që kanë parë ghnjë punën e vet, por edhe pjesmarrrës në shumë ngarje historike të rëndëishme në të cilat ka kaluar endi, duke nisur që nga Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes dhe deri në Luftën e Dytë Botërore.
Histori me bejlerë
Nuk vonon shumë dhe në dhomën e vogël, tashmë të tejnxehur e të mbushur me tym duhani shfaqet ustai bashkë me një burrë të imët që shtrëngon në gjoks një trastë plot me gazeta. Ethem Bundo, kështu quhet miku ynë i ri, është një dëshnicar 63-vjeçar. Ka punuar si mekanik, por pasioni i tij i madh është të shkruarit. Shkruan fabula, por edhe histori, portrete, reportazhe… Në trastën e tij ka gazetat "Përmeti" dhe "Dëshnica", organe të përmuajshme të shoqatave me të njejtat emra. Ethemi nuk është vetëm gazetar e korespondent i tyre, por gazetashitësi për zonën e Këlcyrës. "Këtë mos e shkruaj - bën shaka njëri prej nesh - se mos na rrasin edhe ndonjë trastë e na nxjerrin të shesim gazeta lart e poshtë". "Më shumë e kam për pasion këtë punën e gazetave se sa për ndonjë fitim", e merr seriozisht shakanë Ethemi. Bashkë me mikun e ri grupi tashmë është gati për të kryer këtë shëtitje dimërore nëpër Dëshnicë. E vetmja gjë që shkëlqen jashtë në oborrin e vogël të ustait është pajtoni shumëngjyrësh që ai ka ndërtuar me duart e veta.
Krejt mbi kryet tanë, përballë Trebeshinës, mbi një kodër shkëmbore të lartë, lartësohen disa rrënoja. Janë sarajet e dikurshme të bejlerëve të njohur të Këlcyrës. Këta kanë pasur një histori të gjatë. Themeluesi i famijes së tyre - sipas Eqrem bej Vlorës - ishte Andrea Muzaka, i cili në vitin 1272 mbante titullin "Kont i Këlcyrës". I pari prijës mysliman i familjes duket se ka qenë Jakup beu, i fundit ishte Ali bej Këlcyra, udhëheqësi i njohur i Ballit Kombëtar, që vdiq në Romë në shtatorin e 1963. Bejlerët e Klëcyrës, të cilët kishin edhe krushqi me Ali Pashë Tepelenën u detyruan të largoheshin nga sarajet e tyre në mal kur Veziri i Janinës vendosi në kullat e tyre të gurta një garnizon ushtarësh. Vetëm pas vdekjes së Ali Pashës, në 1822, familja u kthye sërish në Këlcyrë, por sarajet e vjetra i gjeti të pabanueshme.
Meshkujt e kësaj familjeje Eqrem bej Vlora i përshkruan si të sertë e të zgjuar, por edhe shumë të pashëm. Pikërisht kjo veti e shpëtoi njërin prej tyre, Islam beun. Në 1839 serasqeri Reshit Pasha i ftoi krerët e Jugut të Shqipërisë në një drekë pajtimi në Manastir. Dreka, sigurisht që ishte një kurth. Brenda pak minutash ajo u shndërrua në një masakër të vërtetë. Vetëm Islam beu, shpëtoi. Pashait gjakatar i erdhi keq të vriste një djalë kaq të pashëm.
Marrëdhëniet e bejlerëve me fshatarët e Dëshnicës, por edhe të zonave matanë Vjosës, kanë qenë të ndërlikuara. Bejlerët, ca me dhunë e me ca me gjyq që i fitonin gjithnjë nisën të merrnin në zotërim shumë toka. Dhuna e tyre ndaj fshatarëve në fund të shekullit të XIX e fillim të shekullit të XX është tashmë proverbiale. Deri vonë ka qenë e njohur legjenda sipas të cilës, në sarajet e bejlerëve të Këlcyrës ekzistonte një tunel i fshehtë në të cilën hidheshin drejt e në Vjosë viktimat e një nate më parë. Historitë e dhunës, me sa duket, nisnin që në moshë të re. Po ai Islam bej, të cilin e kishte shpëtuar bukuria e tij, kur ishte vetëm 13 vjeç u bë personazh i një historie të denjë për një tragjedi antike. Kur familja u kthye nga internimi në 1822 - pas vrasjes së Ali Pashait - sarajet e vjetra ishin hsktaërruar pas dhjetë vejësh përdorimi si garnizon i rojeve të Aliut. Hejbetullah hanëmi, mbesë e Aliut dhe zonjë e kalasë, bendosi që të ndërtonte një palë shtëpi të reja vetëm dyqind metra poshtë atyre të shkatërruara. Por një ditë, kur po shkonte në varreza, u rrethua nga një tumë fshatarësh të cilët e fyen rëndë duke protestuar për ndërtimin e sarajeve të reja. "Një fyerje e padëgjuar - shkruan Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij - atëherë ajo i thërret djalit të saj të mitur: ‘haram të qoftë qumështi që ke piri nga gjiri im, pot ë mos e mbrosh dh eta vesh në vend nerin tim nga këta plehra‘. Ilsam beu nxjerr atëherë jataganin e bashkë me ata pak shëbëtorë që të shtëpisë që kishte me vete, u vërsul kundër fshatarëve. 12 prej tyre u vranë, të tjerët ranë në gjunjë dhe pranuan të nënshtrohe. Që nga ajo ditë familja sundoi përsëri e plotfuqishme në krahinën e Këlcyrës".
Lidhja e bejlerëve me fshatarët e zonës ka qenë disi e çuditëshme. Ishte një lidhje që luhatej nga nënshtrimi i plotë deri te dëshira e çmendur për ta asgjesuar njëri-tjetrin. Xhelal bej Këlcyra, ishte nipi i atij Islam beut që pat vrarë 12 fshatarë. Ishte i njohur për egërsinë e tij. U vra në 1903 teksa po pinte kafe në ballkonin e sarajave. Një komit i krishterë, Çuli Premto, të cilit i kishte vrarë të vëllanë, e qëlloi nga një distancë e madhe që nga matanë Vjosës, nga një vend që quhej "Shtegu i Derrit".
Me Ali beun, ndryshon e gjithë historia. Ky ishte një bej i çuditshëm. Aliu ishte djali i Xhelalit të egër, porse ishte shkolluar që vegjëli në shkollat më të mira në Stamboll dhe Romë. Që student ishte lidhur me qarqet e majta në Romë e Paris. Dëshmitar dhe pjesmarrës në të gjitha ngjarjet poltike të Shqipërisë së trazuar të fillimit të shekullit të XX-të, Ali beu krijoi relata të tjera me fshatarët. Ishte deputet në parlamentin e parë shqiptar. Në 1924 u largua në emigracion politik si kundërshtar i betuar i Zogut dhe i shtresës nga e cila kishte dalë vetë: i bejlerëve. "Ai - shkruan Eqrem bej vlora, mik i afërt i tij - kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe Romë dhe, ende fare i ri, ishte futur në radhët e atdhetarëve të zjarrtë dhe të demokratëve të bindur, ai ishte idealist, ai i besonte misionit të vet për ti shërbyer popullit dhe emancipimit të tij. Bejlerëve reaksionarë, por edhe konservatorë (siç isha unë) program I Aliut u dekje një herezi e vërtetë… Ndërsa çifligarët e mëdhenj ai i këshilloi që t‘ua dhuronin fshatarëve një pjesë të tokave, në mënyrë që të bëhej kështue panevojshme një reformë e ardhshme agrare. Të gjithë ne u tërbuam dhe e shamë ‘beun e zvetënuar‘. Dhe kush pati të drejtë? Për mendimin tim të dyja palët kishin zënë pozicione të skajshme. Një rrugë e mesme midis ideve të majta të Ali bej këlcyrës dhe konservatorizmit tonë kryeneç, do të kishte qenë mbase, vija më e drejtë politike. Po ne as kuptuam, as e vumë në jetë një vijë të tillë. Ndonëse, nga ana tjetër, edhe ajo vështirë se do të na kishte shpëtuarnga stuhia shkatërruese komuniste pas Luftës së Dytë Botërore".
Ali bej Këlcyra u bë njëra prej figurave më të njohura të Ballit Kombëtar. Pikërisht ai e firmosi në shtatorin e 1943 marrëveshjen me trupate kapitulluara italiane që është quajtur "Dalmaco-Këlcyra" dhe që vazhdon ende sot e kësaj dite të diskutohet fort sipas kahjeve të kundërta të politikës. Vdiq në emigracion politik në Romë në 1963. Ishte 72 vjeç. La pas një vajzë, Hënën.
Këlcyra e qullur
E dimë që më përpara se shumica e besimtarëve të Dëshnicës janë bektashinj. Krahina ka qenë një nga bastinet më të forta të pasuesve të Haxhi Bektash Veliut. Nisemi të shkojmë për në tyrben e Këlcyrës. Vetëm pak njerëz kalojnë rrugëve të qytetit. Bën ftohtë dhe shiu vazhdon të bjerë me gjyma. Tyrben e gjejmë në anë të rrugës me disa pallate të kohës së socializmit në sfond. Edhe vendi i shenjtë është i lagur, siçdo gjë në krejt qytetin. Në sheshin qendror vetëm njerëzit që presin furgonat e përballojnë me durim thëllimin që vjne nga lugina e Vjosës. Përballë nesh mjegulla ka nisur të mbulojë grykën e Këlcyrës. Një panoramë madhështore shtrihet përballë nsh. Vetëm se krejt në anë të rrugës nacionale që të çon në Përmet, fare afër pallateve të para të qytetit, dallojmë një grumbull makinash të shkatërruara që janë hedhur njëra mbi tjetrën. E fotografojmë grykën madhështore, por me siguri nuk kemi qullosur gjë. Do të ishte ndryshe sikur dikush të ishte kujtuar me kohë që varrezate makinave t‘i linte sa më larg, diku tutje në luginën e pamatë.
Këlcyra deri në 1944 ka qenë një pikë shumë e rëndësishme ekonomike jo vetëm për Dëshnicën, por edhe për krahina të tëra të Jugut. Me dhjetra dyqane, me një treg të zhvilluar dhe me zejtarë të zotë, ajo në vitet 30-40 të shekllit të kaluar ishte në mos një qytet, një qytezë shumë e rëndësishme në pikëpamje tregëtare. Pas 1944 kishte një lloj idnustrie ushqimore relativisht të zhvilluar e cila bazohej në traditën e mbarë të zonës. Tani, mbase nga që është qullur ca si shumë, apo ngaqë qielli është krejt i vrenjtur, Këlcyra na duket si një grumbull ndërtesash që e shtyjnë jetën thjesht prej inercisë së parë.
Drejt Ballabanit.
Diku afër qendrës kthejmë drejt veriut. Tani jemi mbi një xhade të vjetër. Kjo rrugë ishte dikur e vetmja mbi të cilën mund të shkohej për në Këlcyrë e Përmet. Ajo zë fill në Berat dhe zgjatet më pas drejt Jugut për afër 76 kilometra. Historia e kësaj rruge lidhet sërish me bejlerët e Këlcyrës. Ishin pikërisht këta që andej nga fundi i shekullit të XVIII-të nisën të ndërtonin rrugën drejt Beratit me punë angari të fshatarëve. Gjatë luftës italo-greke të 1940, Italia e zgjeroi he e riparoi rrugëne vjetër vende-vende.
Ne ecim tani mbi një rrugë që pretendon të jetë e asfaltuar. Ca nga shiu që bie pa pushim dhe ca nga lumenjtë e baltës që rjedhin nga anët e saj, na duhet të ecim me kjdes të madh. "Eh, asaflt I thënçin - psherëtin Ethemi - shiko sa keq kanë punaur". Gjithësei na ngushëllon fakti se mund të ishte edhe më keq dhe i mbajmë sytë e gozhduar nga lugina e Dëshnicës. Ethemi na tregon me radhë: Ky fshati këtu është Katundishta, Këlcyra e vjetër, ky tjeri këtu është Podgorani, këta bënin gjithnjë gjyqe me bejlerët për punë tokash, ky tjetri është një lagje e Sukës në fakt…". Në Sukë ndalojmë në qendër. Na bën përshtypje një godinë e vjetër, krejt e gurtë. Më vonë do të mësojmë edhe historinë e saj.
Mbi një kodër, që duket si e vënë me dorë, na bën përshtypje një ngrehinë jo edhe aq e lartë. Eshtë krejt e izoluar nga shtëpitë e lagjes që ka poshtë vetes. Eshtë teqeja e njohur e Sukës. Mezi arrijmë të bëjmë pak foto nga lartësia e saj. Përballë nesh shtrihet një luginë e begatë në të dy anët e Dëshnicës dhe krejt përballë nesh dallon ajo e bardha e pamposhtur e Trebeshinës. Teqeja e Sukës thuhet se është ndërtuar andej nga fundi i shekullit të XIX-të. Varej nga një tjetër teqe e famshme, ajo e Prishtës së Skraparit. Shumë banorë të këtyre anëve e kanë pasur të lidhur jetesën me këtë teqe, me dervishët dhe baballarët e saj. Kundrejt një të tretës së prodhimit në pronat e teqesë shumë breza dëshnicarës kanë fituar bukën e përditëshme. Përveç kullotave dhe tufave me bagëti teqeja kishte në pronësi 220 hektarë tokë buke. Në 1940 46 bujq punonin për të. Endemi ca kohë përmes rrënojave ku fryn era e dimrit e përzier me shi të akullt. Vetëm në majë të kodrës është ndërtuar një tyrbe e re. Diku lexojmë datën e rindërtimit: korrrrik 1949. Një biznsmen dëshnicar ka kontribuar për këtë ngrehinë të rrumbullaktë prej guri të grinjtë. Një plak flokëbardhë i rrethuar nga një tufë fëmijësh kuriozë është ngjitur deri lart në teqe. Eshtë Naim Bilo, 76-vjeçar. "Mirëserdhët - na drejtohet me përzëmersi - im atë ka qenë myhyp në këtë teqe. Çfarë gjëje që më kujtohet ua them unë". Pastaj xha Naimi nis të përmendë një listë të gjatë të bababllarëve që kanë shërbyer këtu: "Baba Kamberi, Baba Xhaferri, Baba Abedini… Por më i njohuri nga baballarët bektashinj dëshnicarë ka qenë Baba Abazi që në 1945 u bë edhe Kryegjysh Botëror. Ky kishte lindur në Mërtinj, por ka qenë baba këtu në Sukë. Si hyri komunizmi disa baballarë, mes të cilëve edhe Baba Faja i Martaneshit, udhëheqës i Luftës dhe i lidhur me komunistët, dhe Baba Fejzo i Prishtës ia dolën mbanë që të ndryshonin rregullat e vjetra. U arrit që edhe baballarët të martoheshin. Këtë gjë Baba Abazi nuk e duroi dot. Një ditë, më ngjan ka qenë marsi i 1947, brenda në kryegjyshatë i vrau të dy dhe më pas vrau edhe veten". Me këto histori vrasjesh nëpër teqera i ftohti nis të na bëhet edhe më i padurueshëm. Xha Naimi, përkundrazi, është "ngrohur" nga historitë e vjetra. "I njohur ka qenë edhe Baba Kamberi. Ky kishte shumë influencë në krejt Dëshnicën. Ishte mik për kokë me Ali bej Këlcyrën, kështu që u lidh me Ballin. Pas Lufte e futën në burg, ku edhe vdiq në 1946". Bashkë me xha Naimin vazhdojmë të sillemi përmes gërmadhave të teqesë që edhe kështu është hijerëndë. "Po si ndodhi që teqeja u shndërrua në rrënojë?", e pyesim xha Naimin. "Kur u prishën kishat e xhamitë u prish vetëm tyrbja. Teqeja është përdor me raste herë si zyra të kooperativës e herë si spital i zonës. Në 1997 disa fëmijë I vunë zjarrin dhe që atëherë është shndërruar në gërmadhë". "Goxha fëmijë paskan qenë o xha Naim", e ngacmon plakun njëri prej nesh, por ai mbyllet në heshtjen etij. Duket sheshit që nuk ka aspak dëshirë ta kujtojë atë ngjarje.
Poshtë në qendër e pimë një kafe me miqtë dëshnicarë. "Kjo godina që shihni këtu - na thotë xha Naimi - ka qenë ndërtuar që në kohë të Zogut. Ishte pronë e teqesë, por jepej me qira. Lart ishin zyra të lokalitetit ndërsa poshtë dyanqe dhe kafene. E mbaj mend si tani. Ktu shste një përmetar. Çiçim i thoshim ne, por emrin e vërtetë nuk ia mësova asnjëherë. Ky Çiçimi mbante me vete edhe një vajzë shumë të bukur, që neve si fëmijë na bënte përshtypje të madhe. Në kohën e Italisë këtu kishin vënë edhe një bust të madh të Duçes. Gjatë luftës italo-greke kemi vuajtur shumë. Në këto anët tona kalonte fronti i luftës. Ne ikëm në një fshat disi më larg luftimeve. Kur jemi kthyer e kemi gjetur fshatin dhe teqenë të djegur krejtësisht. Në fillim ndërtuam kasolle dhe më pas nisëm të rindërtonim shtëpitë. Pastaj erdhi gjermani. Ky ishte edhe më i frikshëm. Unë isha fëmijë, por në operacionin e 1944, ata nuk pyetën, më morën edhe mua bashkë me babanë dhe 20 burra të tjerë nga fshati dhe na vunë para murit të teqesë për na pushkatuar. Bashkë me gjermanët ishin edhe ballistët e Xhelal Staraveckës. Ky i ndaloi gjermanët. U tha se fshati kishte mbajtur me bukë shumë ballistë. Kështu, Xhelali, ish-partizan, por ballist, na shpëtoi jetën. Nga ajo kohë mbaj mend edhe Ali bej Këlcyrën të hipur mbi kalë e të veshur me qillota ushtarake. Kishte hije të rëndë. Vinte shpesh këtu të takonte Baba Kamberin. Po këtu ka patur një debat të ashpër me Mustafa Matohitin".
Nga Suka në Ballaban nuk na ndajnë veçse pak minuta. Këtu, çdo të enjte, zhvillohet një pazar i madh, ku vinë nga e gjithë zona. Neve na bëjnë përshtypje target e furgonave të ngarkuara plot me mall: TR, VL, FR, MK, PR… në të anët e rrugës së gjerë, të përbaltur qëndrojnë me dhjetra furgonë, kamionë, mushka e kuaj. Të gjithë përzihen mes baltës e shiut, në pritje për të bërë furnizimet deri të enjten që vjen. Një shitës seç po diskuton me zë të lartë me një blerës. "Na çmendët more njerëz - thërret ai duke tundur një defter të lagur - shikoni sa më keni borxh! Janë 22 milionë. Do t‘i ushqej edhe unë kalamajtë, apo vetëm ju?". Ca më tej, mes disa kuajve që turfullojnë të lagur qull, disa djem që porsa kanë mbaruar shkollën trembin vajzat me një automatik lodër. Vajzat bëjnë sikur tremben. Largohen për një çast, por kthehen sërish që të vazhdojnë këtë lojë "luftash". Këta po që nuk i tremb as shiu dhe as i ftohti.
(Për këtë reportazh u konsultuan materiale nga: Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi II, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Përktheu Afrim Koçi, Tiranë 2001; Tanush Frashër, Ali Këlcyra, Çabej, Tiranë 2005; Nuri Dragoj, Dëshnica dhe dëshnicarët, Tiranë 2005; Ligor Sevo, Mbrezhani në rrëzë mali, Tiranë 2009).