Në Ditën e Evropës, Osmani kërkon heqjen e masave nga BE-ja

PRISHTINË, 9 maj /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka quajtur të padrejta, derisa ka kërkuar trajtim me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë.
“Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: Demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tone”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Për popullin e Kosovës, sipas Osmanit kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, “sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi”.
“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiç zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tone”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Sipas Osmanit, që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë pro putiniste.
/Kosovapress/