E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Ditën e Kushtetutës Krasniqi thërret për respektimin e saj

Me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dha një deklaratë, në të cilën thuhet se miratimi i Kushtetutës ishte akt madhor dhe shumë i rëndësishëm, por vetëm zbatimi i saj konsekuent dhe i plotë, i jep asaj vlerën e vërtetë.

“Që nga dita e miratimit të Kushtetutës, vazhdojmë ta kemi sfidë zbatimin e saj në të gjithë territorin e Republikës. Hartimi dhe miratimi i Kushtetutës, sikurse edhe shpallja e Pavarësisë, ka qenë në partneritet të Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe e kontraktuar midis tyre.

Kjo kontratë përmban kompromisin e Kosovës, në emër të së ardhmes dhe për hir të paqes e të stabilitetit.

Ky fakt, na jep lirinë dhe të drejtën që nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe misionet e saj në Kosovë, të kërkojmë angazhimin maksimal për garantimin e sovranitetit e të integritetit territorial të Kosovës dhe zbatimin e Kushtetutës në çdo pjesë të saj”, thuhet në deklaratë.

Në përvjetorin e Kushtetutës, Krasniqi u bën thirrje “institucioneve përgjegjëse dhe gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim, të respektojnë e të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse, kjo është mënyra e vetme për ndërtimin e shoqërisë sonë demokratike", theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›