E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Europë, fitojnë vendasit!

Botërori i 58' do të vazhdojë të mbetet unik në aspektin sesi një ekip nga Amerika Latine si Brazili arriti të fitonte titullin kampion që u organizua atë vit në Evropë, pikërisht në Suedi, madje duke mundur edhe ekipin organizator në finale me rezultatin e thellë 2-5. Megjithëse asnjëherë statistikat nuk janë vendimtare, mesa duket tabuja e ekipeve Evropiane që nuk fitojnë dot jashtë kontinentit dhe e ekipeve Amerikano-Latine që nuk fitojnë dot në Evropë, mbetet akoma e pathyeshme.
Këtë vit dy ekipet më të mëdha të Amerikës Latine, përkatësisht Brazili dhe Argjentina u eliminuan në çerekfinale nga Franca dhe Gjermania, të cilat së bashku me Italinë dhe Portugalinë përbëjnë katërshen e artë të këtij botërori. Pra katër ekipe Evropiane në gjysmëfinale që do të diskutojnë mes tyre fitoren e trofeut pa lejuar të dalë jashtë kontinentit.
Ish-kampionia në fuqi Brazili, e cila konsiderohej këtë vit si pretendentja kryesore për të fituar titullin botëror, me një organikë lojtarësh ndër më të mirët të parë ndonjëherë në ndonjë skuadër, zhgënjeu këtë vit jo vetëm me eliminimin e parakohshëm por edhe me lojën e dobët dhe pa fantazi. Një Ronaldinjo i tjetërsuar nga ai që jemi mësuar të shohim te Barcelona, pa vizion të qarte loje, pa shpërthimet dhe asistet e mrekullueshme të tija, një Adriano i cili vazhdon prej pothuajse një viti të qëndroje shumë larg formës optimale të tij, një Kafu dhe Roberto Karlos tepër të plakur për të mbuluar krahët e mbrojtës, ishin shkaktarët kryesorë të eliminimit të parakohshëm. Brazili largohet turpshëm nga ky botëror duke dërguar në shtëpi vetëm rekordin personal të Ronaldos i cili arriti të bëhej shënuesi më i mirë i historikut të botërorëve me 15 gola.
Jo më pak pretendonte edhe Argjentina e cila kishte në gjirin e saj lojtarin më premtues të viteve të fundit, Mesin. Skuadra argjentinase luajti ndeshje jo të një niveli të lartë, përvç asaj me Serbinë, dhe finalizimi u duk se ishte pika e tyre më e dobët. Trajneri Pekerman ishte sigurisht "strategu"i kësaj disfate, e cila nisi që me përzgjedhjen e lojtarëve të ekipit. Pasi lë jashtë ekipit kombëtar Zanetin, Veronin dhe Samuelin të cilët luajtën përgjatë gjithë vitit një sezon mjaft të mirë në Itali, mban jashtë 11-es lojtarë si Mesi, Aimar dhe Tevez (në dy ndeshje), duke e shndërruar Argjentinën në një ekip pa fantazi.
Në ndeshjen më të rëndësishme në çerekfinale, asaj ndaj, ekipit organizator, Gjermanisë, trajneri Pekerman lë jashtë 11-es jo vetëm Mesin dhe Aimar, por edhe në ndërrimet që ai bëri dolën se ishin joefikase. Tifozët ende s'e kanë kuptuar përse ai nuk futi në fushën e lojës Aimar në vend të Gonzales, apo Mesi në vend të Cruz. Pekerman do ta ketë kuptuar mesa duket gabimin e tij derisa dha dorëheqjen e menjëhershme nga drejtimi i kombëtares.
Këto ishin pak a shumë analiza të shkurtra mbi shkaqet e rënies së dy ekipeve kryesore të Amerikës Latine. Nuk e dimë nëse ishin vetëm këto shkaqet e vërteta të humbjes së tyre, apo tabuja se Kupa e Botës e organizuar në Evropë nuk del jashtë Kontinentin vazhdon të mos lejojë që kjo kupë të dalë nga dogana "Evropiane”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›